Vazhdon gjykimi për zjarrin në Koçan-Mbrojtja e ish-drejtorëve të Entit të Statistikës dhe ish-ministrave të Ekonomisë do të mbajë fjalën
Në seancën e tretë, ku mbrojtja paraqet fjalët hyrëse, sot para Gjykatës Penale të parët do të marrin fjalën avokatët e katër ish-drejtorëve të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe kryeinspektorit të kësaj drejtorie. Ata, së bashku me 30 të pandehur të tjerë, ngarkohen për veprën “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, në lidhje me zjarrin në disko-klubin “Puls” në Koçan më 16 mars, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 210 u plagosën.
Ish-drejtorët Shaban Saliu, Adnan Xhaferoski, Bekim Maksuti dhe Xhevat Selami, si dhe inspektori Ljupço Grnçishtanov, akuzohen se që nga viti 2012 nuk kanë caktuar asnjë inspektor të mbrojtjes dhe shpëtimit në Koçan dhe nuk kanë kryer asnjë kontrolle inspektuese në disko, për të verifikuar nëse objekti i plotësonte kushtet e domosdoshme për mbrojtje nga zjarri. Në listën me 35 të pandehur për këtë tragjedi, ata renditen si të pandehurit numër 18, 19, 20, 21 dhe 22.
Pas tyre, lista përfshin edhe ish-ministrat e ekonomisë Valon Saraçini dhe Kreshnik Bekteshi, dhe në seancën e sotme pritet që të dëgjohet fjala hyrëse edhe nga mbrojtja e tyre. Ata akuzohen se kanë lëshuar licencat për funksionimin e “Puls”-it pa verifikuar dokumentacionin. Nga Ministria e Ekonomisë akuzohen edhe pesë zyrtarë – Xhevair Kamberi, Shefket Hazari, Zoran Nikollovski, Bekim Haxhiu dhe Arlinda Kasapi. Kamberi akuzohet gjithashtu për marrje ryshfeti në dy raste, për lëshimin e licencës për “Puls”.
Në seancën e sotme, e cila po zhvillohet në sallën e madhe të gjykatës në Idrizovë, nuk pritet të përfundojnë fjalët hyrëse të të gjithë të akuzuarve. Me shumë gjasë, për nesër do të mbetet paraqitja e mbrojtjes së inspektorëve të tregut – Mile Ampov, Blashka Evtimova, Vesna Kuzmanovska dhe Emil Mitev, të ish-sekretares shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë, Razmena Çekiç Duroviq, si dhe e pronarit të agjencisë së sigurimit“Rubikon”, Aleksandar Nacev.