Ura e Gurit së shpejti do të marrë ndriçim dekorativ dhe arkitektonik
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se Ura e Gurit së shpejti do të pajiset me ndriçim dekorativ dhe arkitektonik. Do të vendosen drita LED, reflektorë dhe sisteme për kontrollin e ndriçimit, me ç’rast, sipas kryetarit, ura do të marrë një dimension të ri estetik.
“Sot realizova një takim protokollar me delegacionin nga komuna turke Esenler dhe me drejtuesit e Halkbank AD Shkup, ku nënshkruam Protokoll për miqësi dhe bashkëpunim të përbashkët për zbatimin e projektit për ndriçimin dekorativ dhe arkitektonik të Urës së Gurit. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Turqisë, Fatih Ulusoy”,ka njoftuar Gjorgjievski në Facebook.
Kryetari i Shkupit e falënderoi komunën turke për përkushtimin në realizimin e projektit, duke vlerësuar se ky bashkëpunim është edhe një konfirmim i marrëdhënieve të forta miqësore, besimit të ndërsjellë dhe përkushtimit të përbashkët për avancimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Shkupit.