Trump kërkon sërish Groenlandën: Europa në alarm nga planet e presidentit amerikan
Dëshira e përsëritur e Donald Trump për të marrë nën kontroll Groenlandën ka shkaktuar shqetësim të madh te liderët europianë. Ajo që dikur dukej si një ide e çuditshme, tani po shihet si një kërcënim serioz që mund të përçajë aleancën e NATO-s.
Tensionet mes SHBA-ve dhe Danimarkës
Groenlanda është pjesë e Danimarkës, një aleat i ngushtë i SHBA-ve. Megjithatë, Trump ka insistuar sërish se Amerikës “i duhet Groenlanda”. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, i kërkoi atij të ndalojë kërcënimet, por Trump nuk u tërhoq.
Liderët e tjerë europianë, si Keir Starmer i Britanisë dhe Ulf Kristersson i Suedisë, dolën menjëherë në mbrojtje të Danimarkës, duke thënë se vetëm danezët dhe groenlandezët mund të vendosin për fatin e tyre.
Pse është Europa e shqetësuar?
Diplomatët europianë janë në një pozitë të vështirë për disa arsye:
Së pari sulmi në Venezuelë. Operacioni ushtarak i Trump në Venezuelë ka rritur frikën se ai nuk e respekton ligjin ndërkombëtar dhe mund të bëjë të njëjtën gjë me Groenlandën.
Tjetra është varësia nga SHBA-të. Europa ka nevojë për ndihmën e Amerikës për luftën në Ukrainë dhe për sigurinë e përgjithshme, prandaj shumë vende hezitojnë ta kritikojnë ashpër Trump-in me emër.
Dhe arsyeja e fundit fati i NATO-s. Kryeministrja daneze paralajmëroi se nëse SHBA-të sulmojnë një vend tjetër të NATO-s (si Danimarka), atëherë aleanca praktikisht merr fund.
Çfarë kërkon Trump në të vërtetë?
Trump dhe këshilltarët e tij thonë se Groenlanda është kyçe për sigurinë e Amerikës Veriore. Edhe pse SHBA-të kanë tashmë një bazë ushtarake atje dhe mund ta zgjerojnë atë pa pasur nevojë ta pushtojë ishullin, Trump duket se kërkon kontroll të plotë.
Nga ana tjetër, Danimarka po përpiqet të zbutë situatën duke premtuar më shumë investime ushtarake. Ata kanë njoftuar një shpenzim prej 4.2 miliardë dollarësh për mbrojtjen e Groenlandës, duke përfshirë anije, drona dhe radarë të rinj.
Një situatë e pakuptueshme
Shumë diplomatë janë të habitur nga sjellja e SHBA-ve.
“Ata nuk kanë pse ta marrin me forcë, sepse mund të kenë çfarë të duan përmes marrëveshjeve“, tha një zyrtar i BE-së. Frika kryesore mbetet se çfarë do të bëjë Trump nëse Danimarka vazhdon të thotë “Jo”.
Për momentin, Europa po përpiqet të qëndrojë e bashkuar pranë Danimarkës, duke shpresuar se kjo krizë do të zgjidhet me diplomaci dhe jo me forcë.