Spitalet në RMV në rrezik – lufta në Iran kërcënon furnizimin me helium për rezonancë magnetike
Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka ngritur shqetësim për furnizimin me helium, një element kyç për funksionimin e aparaturave të rezonancës magnetike (MRI), duke u bërë apel të gjitha institucioneve shëndetësore që të kryejnë kontroll të menjëhershëm të rezervave që kanë në dispozicion.
Sipas informacioneve, çmimi i heliumit në tregun global tashmë ka shënuar rritje prej rreth 30 për qind, si pasojë e zhvillimeve gjeopolitike dhe luftës në Iran, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në prodhimin dhe furnizimin me këtë gaz.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo është vetëm faza fillestare, ndërsa në rast të përshkallëzimit të situatës, çmimet mund të arrijnë nivele shumë më të larta. Njëkohësisht, nuk përjashtohet as skenari më ekstrem – ndërprerja e plotë e furnizimit, që do të kishte pasoja serioze për sistemin shëndetësor.
Heliumi është i domosdoshëm për funksionimin e aparateve të rezonancës magnetike, pasi përdoret për ftohjen e magnetëve të fuqishëm brenda pajisjeve. Çdo mungesë e tij mund të çojë në ndërprerje të shërbimeve diagnostikuese, duke prekur drejtpërdrejt pacientët.
Për këtë arsye, nga spitalet kërkohet të bëjnë një analizë të detajuar mbi sasinë totale të heliumit që kanë në dispozicion dhe të vlerësojnë se për sa kohë mund të sigurohet funksionimi normal i aparaturave në rast të përkeqësimit të situatës në furnizim.
Fondi thekson se kjo masë është parandaluese, me qëllim evitimin e një krize të mundshme dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve jetike për qytetarët.