SPB Tetovë ka zbardhur rastin ku u sulmuan fizikisht dy të mitur, sulmuesit janë privuar nga liria
Dy persona të moshës madhore janë arrestuar, ndërsa me 16 të tjerë të mitur është zhvilluar bisedë informative lidhur me rastin e sulmit fizik ndaj dy të miturve në Tetovë.
“Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka zbardhur rastin ku, gjatë ditës së djeshme (03.09.2025), në Tetovë u sulmuan fizikisht dy të mitur. Më 03.09.2025, në orën 22:30, në rrugën “Prilepska” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SVR Tetovë e privuan nga liria N.Ç. (20) nga Tetova, ndërsa më 04.09.2025, në orën 12:10, në rrugën “Ilindenska”, u privua nga liria edhe D.D. (23) nga fshati Radiovc” thonë nga SPB Tetovë.
Nga policia japin detaje për incidentin.
“Ata dyshohen se rreth orës 18:00, në rrugën “Blagoja Toska” në Tetovë, në grup, kanë sulmuar fizikisht një 17-vjeçar dhe një 15-vjeçar, të dy nga fshati Dobroshtë, komuna Tearcë, të cilët ishin duke dalë nga shkolla e mesme. Sipas kallëzimit të bërë nga prindërit e tyre, Q.E. (50) dhe H.I. (43) nga Dobroshta, djemtë e tyre kanë qenë bashkë me një të mitur tjetër, i cili ka arritur të ikë nga vendngjarja. Anëtarët e grupit dyshohet të kenë qenë tifozë të një klubi futbolli nga Tetova”- sqarojnë nga SPB Tetovë.
Sipas policisë, pas sulmit, dy të miturit janë dërguar në spitalin klinik të Tetovës për ndihmë mjekësore. Pas dokumentimit të rastit, në bashkëpunim me prokurorin publik, ndaj sulmuesve do të ngriten kallëzime përkatëse.