Sot në Uashington do të mbahet Dialogu Strategjik midis RMV-së dhe ShBA-së
Sesioni i dytë i Dialogut Strategjik midis Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) do të mbahet sot në Uashington, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. Sesioni i dytë i Dialogut Strategjik po zhvillohet pas një ndërprerjeje katërvjeçare, dhe në të do të marrë pjesë një delegacion qeveritar i rangut të lartë i udhëhequr nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski. Së bashku me të, në këtë ngjarje do të marrin pjesë edhe ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski, ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski dhe ministrja e Energjisë Sanja Bozhinovska, transmeton Portalb.mk.
Kjo, siç u njoftua nga Ministria përkatëse, konfirmon vazhdimësinë e aleancës midis dy vendeve dhe angazhimin e përbashkët për promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit në rajon.
“Dialogu Strategjik është një platformë e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe avancimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara, me fokus në fushat kryesore me interes të ndërsjellë, duke përfshirë mbrojtjen dhe sigurinë, sigurinë kibernetike dhe bashkëpunimin teknologjik, ekonominë, tregtinë dhe energjinë, si dhe luftën e përbashkët kundër kërcënimeve transnacionale ndaj sigurisë kufitare”, tha MPJ në një deklaratë.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, njoftoi në një paraqitje të fundit televizive se Maqedonia dhe Shtetet e Bashkuara do të mbajnë seancë të Dialogut Strategjik midis dy vendeve më 7 prill në Uashington.
Me këtë, siç tha ai, ne do të jemi vendi i parë në Evropë që do të ketë dialog strategjik në Uashington me Departamentin e Shtetit të SHBA-së gjatë mandatit të administratës aktuale amerikane.
“Nga ana e Shteteve të Bashkuara, mikpritësi ynë do të jetë zëvendës Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, z. (Christopher) Landau. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se unë, si Ministër i Punëve të Jashtme, jam ndër të paktët që, në më pak se një vit, do të kem tre takime dypalëshe, përveç shumë të tjerave, me udhëheqjen më të ngushtë të Departamentit të Shtetit të SHBA-së – majin e kaluar me z. (Marco) Rubio, këtë vjeshtë, në kuadër të takimit ministror me z. Landau dhe tani përsëri me z. Landau”, tha Mucunski.
Sipas tij, qytetarët e Maqedonisë do të shohin efekte shumë të mëdha nga ky dialog strategjik, si në aspektin e bashkëpunimit politik dhe të sigurisë, por edhe në aspektin e shumë çështjeve të tjera që do të shpallen pas takimit.
I pyetur nëse pret që dialogu strategjik të rezultojë në tërheqjen e vizave për qytetarët e Maqedonisë për në Shtetet e Bashkuara ose të paktën në kthimin e vizave të emigrantëve, lëshimin e të cilave SHBA-të e ndaluan në janar për vendin, Mucunski tha se pret që të ketë një diskutim mbi çështjet që lidhen me politikën e vizave, të cilat janë prioriteti ynë.
Dialogu strategjik mes dy vendeve nuk është një mekanizëm i ri. Në arkivin e Departamentit të Shtetit thuhet se dialogu i parë formal strategjik mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut është mbajtur në Uashington më 2 qershor 2022.
Në mars të këtij viti, gjatë një vizite në Uashington, zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit Aleksandar Nikolloski njoftoi se në takimet në Departamentin e Shtetit është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik, si dhe për partneritetin e përbashkët strategjik. Sesioni i paralajmëruar më 7 prill vazhdon këtë ritëm diplomatik dhe politik mes dy vendeve.