
Shuhet Agjencia për Mbështetje të Turizmit! 30 punonjës kalojnë në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit
Agjencia për Mbështetje dhe Promovim të Turizmit nuk do të ekzistojë më si institucion i pavarur. Ajo tani do të jetë pjesë e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, gjë që është zyrtarizuar me ndryshimet në Ligjin për veprimtari turistike, të miratuara dje në Kuvend, përcjell TV21. Rreth 30 të punësuar të agjencisë do të transferohen në sektorin e turizmit pranë Ministrisë, e cila do të ketë hapësira të reja pune, pa qira, ndryshe nga më parë kur paguhej qira në Qendrën Tregtare të Qytetit.
Me ribalancin e buxhetit të parashikuar për Agjencinë për Mbështetje të Turizmit, në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit do të derdhen shtesë 605 milionë denarë, ose rreth 10 milionë euro. Këto mjete do të përdoren për mbështetje dhe promovim të kulturës dhe turizmit, për aktivitete në Pllaoshnik, Kalaja e Shkupit, për Agjencinë e Filmit dhe të tjera.