Shoferi që goditi për vdekje motoçiklistin tek “Plastikat” ishte nën ndikim të drogës, prokuroria kërkon paraburgim
Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka hapur hetim ndaj një 31-vjeçari, i cili dyshohet se ka shkaktuar një aksident të rëndë trafiku me pasojë vdekjen e një motoçiklisti.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari mbrëmjen e djeshme po drejtonte një automjet “Audi A4” në bulevardin “Nikola Karev”, kur në kryqëzimin me rrugën “Prohor Pçinski” nuk ka respektuar sinjalizimin rrugor. Ai ka kaluar mbi vijën e dyfishtë të plotë dhe ka hyrë në korsitë e destinuara për qarkullimin nga drejtimi i kundërt, duke tentuar të kthehet majtas në kryqëzim.
Hetimet tregojnë se ai po ashtu ka drejtuar automjetin nën ndikimin e substancave narkotike.
“Duke mos iu përmbajtur rregullave të komunikacionit, i dyshuari me vetëdije ka rrezikuar trafikun publik dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve. Automjetin e ka drejtuar nën ndikimin e drogës narkotike, ndërsa nga përplasja motoçiklisti ka pësuar lëndime të rënda nga të cilat ka ndërruar jetë.” – kanë njoftuar nga Prokuroria Themelore Publike Shkup.
Nga fuqia e përplasjes, drejtuesi i motoçikletës BMW ka pësuar lëndime të rënda trupore, nga të cilat më vonë ka ndërruar jetë.
Prokurori publik ka vlerësuar se ekziston rrezik për arratisje, ndikim mbi dëshmitarët ose përsëritje të veprës penale, prandaj në Gjykatën Themelore Penale në Shkup është dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.