Sezoni i gështenjave në Dibër: të ëmbla në shije, të kripura në çmim
Tradicionalisht, në Komunën e Dibrës shumë familje fshatare janë marrë me prodhimin e gështenjës. Jo rastësisht, në brezin kufitar të Dibrës shumë sipërfaqe janë mbjellë dhe vazhdojnë të mbillen me këtë pemë, e cila para shumë dekadash quhej nga popullata lokale edhe “Pema e Bukës”. Fruti i gështenjës është shumë ushqyes, i pasur me minerale dhe vitamina, dhe paraqet një produkt të rëndësishëm për popullatën vendase.
Në të kaluarën, me prodhimin e gështenjës në Komunën e Dibrës janë marrë mbi 130 familje, por sot ky numër është dukshëm më i vogël. Migrimi dhe mungesa e një sistemi të organizuar të grumbullimit ndikojnë në uljen e prodhimtarisë, çka sjell edhe rritje të çmimit të gështenjave.
Këtë vit, prodhimtaria e gështenjës është rritur për rreth 10 për qind, informojnë anëtarët e familjes Dema, të cilët tradicionalisht merren me kultivimin e saj në fshatrat kufitare të Dibrës. “Kushtet këtë vit ishin më të mira në krahasim me një vit më parë”, thonë ata, por shtojnë se mungesa e grumbullimit të organizuar vazhdon të jetë një problem që përsëritet çdo sezon.
Gështenja është e pranishme në brezin kufitar të fshatrave Bomovë, Konjarë, Spas, Sushicë dhe të tjerë. Pothuajse të gjitha familjet që jetojnë në këto fshatra janë marrë dhe vazhdojnë të merren me kultivimin e saj, që u sjell të ardhura të konsiderueshme materiale. Ndër prodhuesit më të njohur të gështenjës dibrane janë familjet Fida, Lela, Kaziu, Marku, Dema e të tjerë.
Ata theksojnë se, edhe pse mungon grumbullimi i organizuar, kompani të ndryshme e plasojnë gështenjën e Dibrës në tregjet e Kroacisë dhe Italisë, ku përdoret në fabrikat për prodhimin e ëmbëlsirave, veçanërisht të çokollatës. Sa i përket tregut vendas, përveç në tregun e gjelbër të Dibrës, gështenja shitet edhe në tregjet e Strugës, Ohrit, Gostivarit, Shkupit dhe Manastirit.
Sipas tyre, çmimi i një kilogrami gështenjë sillet nga 80 deri në 130 denarë, që është dukshëm më i lartë krahasuar me vitet e kaluara. “Nëse do të ekzistonte një sistem i organizuar grumbullimi, plasmani do të mund të bëhej ekskluzivisht për tregun e jashtëm, çka do të sillte edhe më shumë të ardhura për kultivuesit”, shtojnë ata.
Në njësinë e Ministrisë së Bujqësisë në Dibër thonë se cilësia e gështenjës dibrane edhe këtë vit është shumë e lartë. Sipas të dhënave, kultivimi i saj bëhet në rreth 260 hektarë tokë. Zona e komunës së Dibrës dhe vendbanimet rurale kufitare me Shqipërinë, për shkak të kushteve të favorshme klimatike dhe tokësore, prodhojnë gështenja me cilësi të lartë. “Gjatë vizitave që bëjnë ekspertët vendorë, ata vlerësojnë se gështenja e Dibrës është organike, bio, dhe karakterizohet nga një aromë e veçantë. Ajo përmban nivel të sheqerit që përputhet me kërkesat e tregut evropian”, theksojnë nga njësia e Ministrisë së Bujqësisë në Dibër. /Koha/