Ndërron jetë akademiku Rexhep Qosja
Akademiku i njohur nga Kosova, Rexhep Qosja ka ndërruar jetë sot në moshën 89-vjeçare kanë njoftuar familjarët e të ndjerit, raporton Anadolu.
Me këtë rast, familjarët kanë njoftuar po ashtu se ka përfunduar edhe ceremonia e varrimit të tij, derisa kanë sqaruar se me dëshirën e të ndjerit, nuk do të marrin pjesë as në organizime institucionale.
“Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale”, thuhet në njoftimin e familjes Qosja.
– Një jetë kushtuar dijes dhe shkrimit
Rexhep Qosja ishte shkrimtar, historian i letërsisë, profesor universiteti dhe akademik. Lindi në vitin 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, ku kreu shkollimin fillor ndërsa arsimin e mesëm e vijoi në Vuthaj dhe Guci. Në Prishtinë përfundoi Shkollën Normale dhe më pas studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në vitet 1968–1969 në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Beogradit.
Karrierën shkencore e nisi më 1967 si asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku në vitin 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor. Në vitin 1971 mbrojti doktoratën për jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit, pas së cilës u ngrit në bashkëpunëtor të lartë dhe më pas në këshilltar shkencor në këtë institut. Paralelisht, u zgjodh profesor inordinar dhe më pas profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Në periudhën 1972–1981 shërbeu si drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Po ashtu, për disa vite ishte shef i degës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin Filozofik si dhe kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re”.
Veprimtarinë letrare e nisi në fushën e kritikës ndërsa gjatë karrierës botoi mbi tridhjetë libra me studime për letërsinë, kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane, drama dhe publicistikë. Punimet e tij janë botuar në revista shkencore e letrare dhe një pjesë e veprës së tij është përkthyer në gjuhë të tjera.
Për krijimtarinë shkencore dhe letrare u nderua me disa çmime, ndër to Shpërblimi i Qytetit të Prishtinës (1968), Shpërblimi Krahinor i Dhjetorit (1969), dy shpërblime të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1972 dhe 1974), Shpërblimi i RS të Serbisë “7 Korriku” (1975) si dhe Çmimi “Pjetër Bogdani” në vitin 2010 për romanin “Bijtë e askujt”.
Qosja u angazhua edhe në veprimtari politike. Në periudhën 1998–2000 drejtoi një parti politike në Kosovë ndërsa në vitin 2000 u dekorua nga presidenti i Shqipërisë me çmimin “Nderi i Kombit”.