Rrahja në Tetovë, reagojnë partitë
Reagime të shumta në opinion lidhur me sulmin fizik në Tetovë. Përfaqësuesit politik dënojnë sulmin dhe kërkojnë zbardhje të shpejtë të rastit.
Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, thotë se rastet e tilla janë kujtim i keq nga e kaluara, që po ringjallen pra zgjedhjeve dhe po keqpërdoren për t’i fryrë tensioneve ndëretnike. Fetai, nënvizon se rastet e dhunës ndëretnike shfaqen vetëm kur BDI-ja e ka punën pisk. Por, për dallim nga e kaluara, thotë se kjo Qeveri nuk i toleron e as i mbron.
“E përshëndes reagimin e shpejtë të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, të cilët në kohë rekord identifikuan dhe arrestuan disa prej huliganëve të dyshuar. Ky reagim i shpejtë është porosi e qartë dhe e prerë se incidente të tilla nuk do të lejohen dhe autorët nuk do të kalojnë pa ndëshkim, siç ndodhte në të kaluarën”- shkruan Fetai
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti,më herët gjatë ditës, paralajmëroi përgjigje të rreptë për raste të tilla që cenojnë lirinë e qytetarëve.
“Veç janë marrë masa, isha në kontakt të vazhdueshëm me organet e rendit. Janë privuar nga liria, i dënoj këto raste. Është pak e çuditshme që çdo herë gjatë cikleve zgjedhore ndodhin këto raste. Do bëj apel të gjithë të jenë në nivel të përgjegjësisë. I dënojmë si akte dhe do kenë përgjigje të rreptë nga shteti çfarëdo raste të tilla që cenojnë lirinë e qytetarëve”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.
Ndërsa opozita shqiptare, Aleanca Kombëtare për Integrim dhunën ndaj dy të rinjve në Tetovë, e cilësuan si kërcënim ndaj qetësisë në Tetovë por edhe marrëdhënieve ndëretnike në vend.
“E dënojmë ashpër aktin e dhunës së paprecedent që ka ndodhur në qytetin e Tetovës, ku një grup më i madh personash, sipas deklaratave të viktimave të lënduara rëndë, ishin të nacionalitetit maqedonas dhe sulmuan disa të rinj shqiptarë adoleshentë. Ky është një akt barbar, i rrezikshëm dhe i papranueshëm, që përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për qetësinë në Tetovë dhe për marrëdhëniet ndëretnike në vend”, thonë nga koalicioni AKI.
Partitë bëjnë thirrje për përgjigje adekuate institucionale.