RMV ende pa strategji shtetërore për luftën kundër dhunës në familje, ministria premton se do të miratohet deri në fund të vitit
Maqedonia e Veriut ende nuk ka strategji shtetërore për luftën kundër dhunës me bazë gjinore dhe asaj në familje. Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë (MPSDR) thotë se ka disa muaj që e njejta përgatitet nga ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe premton se deri në fund të vitit 2025 do të hyjë në procedurë qeveritare, kurse dhe më pas pritet të miratohet nga Parlamenti i RMV-së, transmeton Portalb.mk.
Sipas statistikave, 391 viktima të reja të dhunës janë regjistruar në RMV gjatë tremujorit të parë të këtij viti, kurse autoritetet ende nuk kanë strategji me masa konkrete për parandalimin e dhunës në familje.
Nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë për Portalb.mk njoftuan se në shkurt të vitit 2025 ka nisur procesi për hartimin e Strategjisë Kombëtare për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore ndaj grave dhe dhunës në familje (2026 –2033) me mbështetjen e agjencive të Kombeve të Bashkuara në vend.
“Është formuar një grup pune me përfaqësues nga institucionet dhe sektori civil, dhe është përgatitur një draft propozim i strategjisë, i cili në periudhën në vijim do të prezantohet para grupit të punës. Pritet që deri në fund të vitit të hyjë në procedurë qeveritare, e më pas të miratohet nga Kuvendi”, thanë nga MPSDR.
Kujtojmë qëthuajse para një viti, më 31 tetor 2024 zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Gjoko Velkovski njoftoi se ka filluar procesi i përgatitjes së strategjisë.
“Maqedonia e Veriut e njeh përgjegjësinë e madhe që kemi për përmbushjen e detyrimeve tona sipas kornizave ndërkombëtare, veçanërisht Konventës së Stambollit, e cila na shtyn të krijojmë mjedise të sigurta për viktimat. Jemi të përkushtuar për arritjen e qëllimeve të përcaktuara nga procesi i Berlinit dhe në kuadër të negociatave për anëtarësim me BE-në, veçanërisht në kapitujt 19 dhe 23, për të arritur përparim të dukshëm në parandalimin e dhunës dhe forcimin e barazisë gjinore”, pati deklaruar Velkovski.
Nga ana tjetër, edhe Entit Shtetëror i Revizionit (ESHR) paralajmëron se pas skadimit të Planit në vitin 2023, nuk është miratuar Strategji e re dhe as të gjitha aktet nënligjore të nevojshme, gjë që vë në pikëpyetje zbatimin e plotë të Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, që njihet si Konventa e Stambollit.
