RMV dje regjistroi erë me fuqi uraganike prej 134 km në orë
Një fenomen i rrallë meteorologjik goditi Maqedoninë e Veriut të martën (21 korrik), kur erërat me fuqi uraganike, që arritën deri në 134 kilometra në orë, shkaktuan dëme të mëdha në disa pjesë të vendit.
Stuhia la pas pemë të rrëzuara, çati të dëmtuara, automjete dhe banesa të shkatërruara, ndërsa dhjetëra qytetarë mbetën të lënduar. Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), bëhet fjalë për një fenomen jashtëzakonisht të rrallë për këtë rajon.
Duke iu referuar të dhënave nga rrjeti kombëtar i stacioneve automatike meteorologjike, DPHM njoftoi se më 21 korrik janë regjistruar goditje ere me intensitet shumë të lartë, të përafërta me rekordet historike.
Herën e fundit erëra me fuqi të tillë uraganike u regjistruan në korrik të vitit 2012, kur në rajonin e Shtipit u mat një shpejtësi prej 155 kilometra në orë.
Erëra uraganike në disa rajone
Nga 47 pika matëse në vend, në 12 prej tyre u regjistruan erëra të forta me shpejtësi nga 62 deri në 88 km/orë. Në gjashtë lokacione u regjistruan erëra shumë të forta me shpejtësi 88–102 km/orë, ndërsa në një stacion u matën erëra me shpejtësi 102–117 km/orë.
Në tre stacione automatike meteorologjike u regjistruan erëra me fuqi uraganike, me shpejtësi mbi 118 km/orë, ndërsa në pjesën tjetër të vendit shpejtësia e erës ishte nën 62 km/orë.
Shtipi dhe Shkupi ndër më të goditurit
Sipas klasifikimit meteorologjik, erë uraganike konsiderohet ajo që tejkalon 118 kilometra në orë. Ky është një fenomen shumë i rrallë në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe mund të shkaktojë dëme të mëdha materiale.
Në stacionin meteorologjik në Shtip, rreth orës 17:00, u regjistrua goditja më e fortë e erës prej 134 km/orë, nga drejtimi perëndim-veriperëndim.
Në Shkup, në orën 16:10, u mat një goditje ere prej 130 km/orë nga drejtimi veri-veriperëndim. Me të njëjtën shpejtësi, 130 km/orë, erërat u regjistruan edhe në stacionin meteorologjik në Novo Sellë të rajonit të Strumicës, rreth orës 17:50, nga drejtimi veriperëndim.