QMK: Nga 23 zjarre të regjistruara, vetëm një është aktiv
Nga gjithsej 23 zjarre në hapësirë të hapur të regjistruara në 24 orët e fundit, një është ende aktiv, ndërsa dy janë nën kontroll, njoftoi sot Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).
Sipas QMK-së, aktiv është zjarri në fshatin Dolgaec në Komunën e Dollnenit, ku po digjet një pyll i përzier. Zjarri në “Jasen”, i cili po digjet për më shumë se dhjetë ditë, është vënë nën kontroll.
Gjithashtu, sipas QMK-së, zjarri në malin Kozuf në Komunën e Gjevgjelisë, ku po digjet një pyll i lartë, është nën kontroll.
Gjithashtu sipas QMK-së, në 24 orët e fundit janë shuar 20 zjarre në komunat Shtip, Dibër, Kumanovë, Tearcë, Gostivar, Krushevë, Dollnen, Krivogashtani, Ohër, Manastir, Sveti Nikollë, Koçan, Vrapçisht, Strugë, Vasilevë, Çuçer Sandevë, Likovë dhe në Gazi Babë. Shumica e këtyre zjarreve kanë djegur bimësi të ulët, kashtë, deponi dhe bar të thatë.