Qindra raste të gjuhës së urrejtjes në RMV, por vetëm gjashtë lëndë përfunduan me vendim në gjyq për 10 vite
Vetëm gjashtë lëndë janë pranuar dhe kanë përfunduar me dënime në Gjykatën Themelore- Shkup, sipas nenin 319 të kodit penal “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose intolerancës mbi baza kombëtare, racore, fetare dhe baza tjera diskriminuese” në periudhë kohore nga viti 2015 deri më vitin 2025. Ky numër është shumë i vogël duke e pasur parasysh që sektori joqeveritar vetëm për tre muaj të vitit 2025 ka regjistruar 213 raste të gjuhës së urrejtjes të cilat jodomosdoshmërisht lidhen me krime, por janë të dënueshme si vepra penale që nga viti 2014, shkruan Portalb.mk.
Nga të dhënat e siguruara nga Portalb.mk, pesë nga gjashtë rastet me epilog gjyqësor kanë përfunduar me dënim me kusht, ndërkaq një rast me dëbim nga shteti. “Dy raste janë shënuar në vitin 2025, njëri ka përfunduar me dëbim nga shteti dhe njëri me dënim me kusht. Tre raste kanë marrë aktgjykim më vitin 2024, në të tri rastet ka pasur dënim me kusht. Dhe, një lëndë në vitin 2023, gjithashtu ka përfunduar me kusht”, theksohet në përgjigjen e gjykatës për Portalb.mk.
Javën e kaluar Portalb.mk doli me një analizë ku paraqiti numrat e institucioneve dhe organizatave që merren me gjuhën e urrejtjes me qëllim pasqyrimin e gjendjes faktike në raport me veprimin e autoriteteve kompetente për ta penalizuar gjuhën e urrejtjes, si dhe argumentimin se si rriten rastet e gjuhës së urrejtjes kur mungon ndëshkimi.
Portalb.mk, siguroi të dhëna edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut në raport me krimet e regjistruara si dhe autorët e denoncuar penalisht në periudhën nga viti 2015 deri në qershor 2025 sipas nenit 319 të Kodit penal.
Në dekadën e fundit, nga viti 2015 e deri më vitin 2025 (përfshirë muajt janar- qershor) janë regjistruar gjithsej 31 vepra penale të dënueshme sipas nenit 319 të Kodit Penal. Gjatë të njëjtës periudhë, sipas nenit të njëjtë të kodit penal janë akuzuar penalisht 52 persona.
Ndryshe, Komiteti i Helsinkit vetëm në 3 muajt e parë të vitit 2025 ka regjistruar 213 raste të gjuhës së urrejtjes në internet, të cilat i raporton në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Prokurori dhe në Komisionin për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.
Denoncimet që arrijnë në Komitetin e Helsinkit përmes kësaj Platforme tregojnë se më e përfaqësuar është gjuha e urrejtjes në bazë të kombësisë, përkatësisë etnike, përkatësisë politike dhe orientimit seksual dhe identitetit gjinor.
Nga ana tjetër, policia ka vepruar vetëm për 4 raste dhe atë për gjashtë muaj.
Incidentet në stadiume, drejtësi selektive
Tema e gjuhës së urrejtjes në Maqedoninë e Veriut u riaktualizua pas brohoritjeve nacionaliste dhe shprehjeve raciste në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila u zhvillua në Kumanovë ku tifogrupi maqedonas prezent në sallë sportive këndoi: “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket,… Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”. Partitë politike shqiptare shfrytëzuan ngjarjen në Kumanovë për të akuzuar njëra tjetrën.
Më pas, në ndeshjen Shkendija-Karabak në arenën “Todor Proeski” në Shkup, brohoritja “Ilirida” dhe valëvitja e flamurit “Shqipëri e madhe” nga tifozët shqiptar u cilësua si gjuhë e urrejtjes.
Për këtë të dytën autoritetet vepruan me shpejtësinë e dritës duke e dënuar me kusht dhe duke e dëbuar shtetasin e Gjermanisë që valëviti flamurin e “Shqipërisë së Madhe”.
Për të parën e cila si rast ndodh më herët dhe u dëshirua vdekja e shqiptarëve nga MPB na u tha se është arrestuar një person dhe se policia “ende merr masa për zbardhjen e rastit”.
Në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë, ekspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes alarmuan se mosndëshkimi i kësaj vepre penale, sipas nenit 319 të Kodit Penal në RMV e ushqen edhe më tepër urrejtjen.