Shumica e viktimave nga zjarri në “Puls” vdiqën nga helmimi me monoksid karboni, tregon autopsia
Shumica e personave që humbën jetën në kabarenë “Puls” në Koçan kanë vdekur nga helmimi me monoksid karboni (gaz helmues) dhe mungesa e ajrit. Kjo u bë e ditur nga raportet e autopsisë, të prezantuara sot në gjykatë nga prokurorja Natasha Saramandova.
Sipas saj, rreth 50 viktima kanë ndërruar jetë nga helmimi me gaz helmues. Katër persona kanë vdekur nga shtypja në kraharor, ndërsa tre të tjerë nga mungesa e oksigjenit.
Në raport u theksua se edhe disa nga të lënduarit që vdiqën më vonë gjatë trajtimit në spital, kanë humbur jetën për shkak të dëmtimit të mushkërive nga ky gaz.
Një viktimë ka ndërruar jetë si pasojë e djegieve të rënda. Gjatë leximit të raporteve në sallën e gjyqit, familjarët e viktimave reaguan me emocione dhe lot.
Prokuroria njoftoi se do të angazhohet edhe një ekspert për të dhënë sqarime shtesë për shkaqet e vdekjes dhe rrethanat e ngjarjes.
Nga ana tjetër, avokatët e mbrojtjes kundërshtuan një pjesë të provave, duke thënë se nuk janë përfshirë të gjitha detajet nga autopsitë.
Në fillim të seancës, mbrojtja e të akuzuarit Dejan Jovanov kërkoi që masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, por prindërit e viktimave reaguan duke kundërshtuar një mundësi eventuale për ta lëshuar nga burgu.