Qeveria zgjat krizën edhe 2 javë, TVSH për derivatet mbetet 10%
Qeveria ka vendosur ta zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme edhe për dy javë të tjera, informoi kryeministri Hristijan Mickoski, duke theksuar se do të ketë seancë të re në të cilën do të merret vendimi për ta mbajtur TVSH-në për derivatet në 10 përqind. Ai njoftoi se çmimet e naftës në bursa do të monitorohen gjithashtu dhe në bazë të tyre do të përcaktohet shuma e uljes së akcizës.
Mickoski informoi gjithashtu se rezervat shtetërore të naftës po plotësohen dhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojë zbritja e dhënë nga OKTA. Ai tregoi se pret që çmimet e derivatevenë periudhën e ardhshme të mbeten të qëndrueshme ose të ulen me një përqindje të caktuar.
“Çmimi i karburantit llogaritet sipas një formule kur mbyllen bursat dhe si tregues mund të dimë se çfarë të presim si vendim i Komisionit Rregullator. Presim që javën e ardhshme të paktën çmimet e karburanteve të mbeten të njëjta ose të ulen me një përqindje të caktuar, sipas gjendjes aktuale të bursave”, tha Mickoski.
Ai theksoi se që nga fillimi i krizës, rezervat shtetërore të naftës nuk janë përdorur dhe furnizimi është i qëndrueshëm. Mickoski thotë se kërkesa nuk po ulet, dhe ka ditë kur shiten mbi 2 milionë litra, si për qytetarët e Maqedonisë, ashtu edhe për qytetarët e vendeve fqinje, ku çmimet e karburanteve janë më të larta.
Qeveria, vendimin për shpalljen e krizës në të gjithë territorin e miratoi më 23 mars, si rezultat i konfliktit të interesave në përdorimin e burimeve dhe rrugëve të burimeve strategjike të energjisë, si dhe pengimit dhe bllokimit të importit të tyre në vend.