Punëtorët në protestë në Shkup, kërkojnë rritje të pagave
Pasditen e sotme, para Shtëpisë së Punëtorëve në Shkup ka nisur protesta e organizuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), ku punëtorët shprehin pakënaqësinë e tyre me nivelin e pagave.
Ata kanë dërguar kërkesë për pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritje të të gjitha pagave të tjera për 100 euro.
Në protestë vërehet prania e një numri të madh punëtorësh, si dhe pjesëtarë të policisë.
Në qendër të Shkupit është vendosur regjim i posaçëm i komunikacionit.
Gjatë lëvizjes nëpër rrugët e Shkupit, pjesëmarrësit e protestës vazhdimisht brohorisnin:
“Hajdutë, hajdutë”.
Protesta më pas vazhdoi para Kuvendit, prej nga kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov, paralajmëroi se do të dorëzojnë ligj për uljen e pagave të funksionarëve dhe rritjen e atyre të punëtorëve.
“Nëse nuk rritet paga minimale, do të vijmë për pagat tuaja”,porositi ai.
Ai theksoi gjithashtu se pagat e funksionarëve paguhen nga taksat që i paguajnë punëtorët.
Pritet që protesta të vazhdojë para Qeverisë, nga ku punëtorët do t’i përsërisin kërkesat e tyre.
Protesta u mbështet nga opozita – Lidhja Socialdemokrate (LSDM) dhe partia E Majta.
Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se ky protest ka prapavijë politike.