Policia dhe Agjencia për Siguri Kombëtare kanë vlerësuar se Artan Grubi nuk është i sigurt në “Shutkë”
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia për Siguri Kombëtare kanë vlerësuar se ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi nuk do të ishte i sigurt në burgun e Shutkës, prandaj është kërkuar masa e paraburgimit shtëpiak. Këtë e bëri të ditur sot Prokuroria Publike, pas reagimeve në opinion lidhur me vendimin që Grubi, i akuzuar në lëndën “Lotaria Shtetërore”, të qëndrojë në arrest shtëpiak.
Nga Prokuroria theksojnë se, në përputhje me Ligjin për Procedurë Penale, masa e paraburgimit shtëpiak – sidomos kur zbatohet me mbikëqyrje 24-orëshe – është po ashtu masë paraburgimi, por që nuk vuhet në kushte burgu për shkak të rrethanave specifike.
“Vlerësimi i organeve kompetente – MPB dhe ASK – ka treguar se ekzistojnë informacione serioze se në repartin e paraburgimit nuk mund të garantohet siguria personale e të dyshuarit. Detajet lidhur me këto rrezikime janë paraqitur para gjyqtarit të procedurës paraprake”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria shton se është me rëndësi të veçantë që i dyshuari është siguruar dhe se ndaj tij vazhdon ndjekja penale për veprën “Përvetësim në shërbim” nga neni 354 i Kodit Penal. Për Grubin është zhvilluar hetim financiar dhe, sipas organit të akuzës, janë siguruar pjesa më e madhe e provave të nevojshme, në të cilat mbrojtja tashmë ka qasje.
Pas 14 muajsh në arrati në Kosovë, Grubi u vetëdorëzua dje në pikën kufitare Bllacë. Përveç tij, në këtë rast është i dyshuar edhe Përparim Bajrami, kryetar i Bordit Drejtues dhe drejtor i përgjithshëm i “Lotarisë Shtetërore”, i cili vazhdon të jetë në arrati.