Kryhet tenderi për operatorin e tretë të telekomunikimit “For-i-G”, do të finalizohet pas marrëveshjes
Agjencia për Komunikime Elektronike (AKE) ka përfunduar procedurën e tenderit publik për ndarjen e radiofrekuencave të destinuara për operatorin e tretë të telefonisë mobile në vend. Sipas njoftimit zyrtar, ofertues i vetëm në këtë proces ka qenë kompania “One Maqedoni Telekomunikime”, në pronësi të grupit hungarez “For-i-G”.
Nga AKE sqarojnë se pas hapjes publike të ofertave më 22 gusht, Komisioni për zbatimin e tenderit ka përgatitur raportin përfundimtar, të cilin ia ka dorëzuar drejtorit të Agjencisë. Në bazë të Ligjit për Komunikime Elektronike, drejtori ka miratuar vendimin për përfundimin e procedurës, ndërsa hapi i radhës është zgjedhja e ofertuesit më të favorshëm. Ky vendim, siç theksohet, do të merret pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të parashikuara për 19 tetor.
Në dokumentin e publikuar në faqen zyrtare të AKE-së, citohet se procedura ka përfshirë ndarjen e radiofrekuencave në brezat 700 MHz, 1800 MHz dhe 3.x GHz. Meqë vetëm një kompani ka dorëzuar ofertë, në përputhje me nenin 140 të Ligjit për Komunikime Elektronike, është konstatuar përfundimi i procedurës pa konkurrencë shtesë.
Kësisoj, pas vendimit përfundimtar të drejtorit të AKE-së, pritet që “One Maqedoni Telekomunikime” të bëhet operatori i tretë i rrjetit celular në vend.