Pastrimi, veshmbathja dhe sadakat’ul-fitri, si përgatiten myslimanët për Bajram
Besimtarët myslimanë në mbarë Botën, nesër festojnë Fitër Bajramin. Falja e Namazit telë Fitër Bajramit në Maqedoninë e Veriut, falet në orën 6:20 minuta.
Çfarë është Bajrami?
Muslimanët kanë dy festa, dy bajrame, Bajramin e Ramazanit dhe Bajramin e Kurbanit. Këtë qartë e ka theksuar Muhammedi a.s. në një hadith të tij. Kjo festë ka edhe përmbajtjen e saj, gëzimin, harenë, në çka tregon edhe shembulli i Ebu Bekrit r.a., i cili me një ditë bajrami e vizitoi të bijën e tij, Aishen r. anha, në shtëpinë e Muhammedit a. s.
Në arabisht quhet ‘Id, që do të thotë kthim, sepse gjerat kthehen në gjendjen e mëhershme, normale, siç është ngrënia gjatë ditës etj.
Festën e Bajramit të Ramazanit do ta shënojnë të gjithë besimtarët, e sidomos ata të cilët kanë dhënë kontributin e tyre shpirtëror e fizik.
Prej kur daton Bajrami?
Bajrami i parë i Muhammedit a. s. ka qenë në vitin e dytë hixhri, në çka tregon hadithi në të cilin Enesi transmeton se “Pejgamberi i Allahut erdhi në Medinë, kurse banorët e saj kishin dy festa nga koha e injorancës, gjatë së cilave ditë ata argëtoheshin. Pejgamberi a. s. i pyeti: “Cilat janë këto dy ditë?’, kurse ata u përgjigjen: ‘Dy ditë në të cilat ditë jemi argëtuar gjatë kohës së injorancës.” Në këtë Pejgamberi i Zotit tha: “Allahu ua ka zëvendësuar ato festa me dy festa më të mira: atë të Kurbanit dhe të Ramazanit.’” (Ebu Davudi, hadithi është sahih.)
Pastrimi i ambientit brenda dhe jashtë shtëpisë, oborrit dhe rrugës
Islami i kushton rëndësi të madhe pastërtisë individuale, kolektive por edhe pastërtisë shpirtërore, ekologjike etj. Nisur nga kjo, dikur por edhe sot është detyrë parësore e familjeve muslimane pastrimi i shtëpisë, i dekorit shtëpiak etj. Pastrohet edhe oborri i shtëpisë, stërpiket me ujë rruga dhe hiqen mbeturinat si kurrë më parë. Ditët e fundit para Bajramit tërë familja janë në shërbim të pastrimit të shtëpisë, brenda dhe jashtë, që ditët e bajramit të duken sa më të këndshme.
Pastrimi i besimtarëve para namazit të Bajramit
Para se të nisen në xhami për namaz të Bajramit, besimtarët pastrohen. Këtë e kanë praktikuar as’habët më të mëdhenj: Ibn Umeri r.a., Aliu r.a., Hasan Basriu e të tjerë nga dy brezat e parë. Koha e pastrimit duhet të jetë sa më afër Bajramit, por për shkak të rrethanave të ndryshuara, largësisë së xhamive e tjera, pastrimi mund të bëhet kurdo qoftë para Bajramit.
Veshmbathja e mirë
Gjatë bajramit muslimanët duhet të vishen mirë, me rrobat më të mira që kanë. Edhe Muhammedi a.s., edhe Omeri r.a. edhe as’habë të tjerë janë veshur bukur. Veshmbathja nuk vlen vetëm për ata që shkojnë në xhami por për të gjithë. Edhe ambienti në shtëpi, oborr e rrugë duhet të dallohet nga ditët tjera, si shenjë e Bajramit dhe edukatës muslimane.
Ngrënia diçka para Bajramit të Ramazanit
Dijetarët muslimanë pajtohen se muslimanët para se të shkojnë në namaz të Bajramit duhet të hanë diçka. Ishte praktikë e Muhammedit a.s. t’i hajë disa kokrra hurme, zakonisht tek, para namazit. Kjo është shenjë që po përfundon agjërimi.
Shpërndarja e sadakat’ul-fitrit (dhe zekatit) për Fitër Bajram
Koha e fundit për ta dhënë sadakt’ul-fitritn në institucionet e Bashkësisë Islame është namazi i Bajramit. Në rrethanat e atëhershme, Muhammedi a.s. ka urdhëruar që sadaka të ndahet para namazit. Për shkak të rrethanave të tjera të banimit, të urbanizimit të qyteteve etj., kohëve të fundit sadakat’ul-fitri organizohet ndryshe, tubohet më herët nga institucioni i Bashkësisë Islame.
Namazi i Bajramit
Namazi i bajramit është vaxhib, detyrim individual fetar. Bajrami fillon kur te ngrihet dielli në gjatësi të një apo dy shtizave e deri në zeval (kur dielli është në mes të qiellit). Në bajram nuk ka as ezan as ikamet. Falen dy reqate. Dijetarët hanefijë pohojnë se në reqatin e parë, para El-Fatihasë dhe sures, lexohen tre tekbire, ndërsa në reqatin e dytë, pas leximit të El-Fatihasë dhe sures, lexohen tre tekbire, duke i ngritur duart deri te laprat e veshit.
Hutbja e Bajramit
Para namazit të Bajramit bëhet para namazit të Bajramit. Ajo duhet të jetë e shkurtër, përmbajtësore, udhëzuese dhe mbi të gjitha aktuale.
Urimet e Bajramit
Nuk kemi ndonjë mënyrë të saktësuar se si bëhet urimi, por tek ne praktikohen disa mënyra urimi: Me fat Bajramin, Për hajr Bajramin, Urime Bajramin, etj.
Ushqimet e përgatitura
Pas kthimit nga xhamia, Bajrami festohet me më të afërmit. Sofra e bajramit, përkatësisht dreka e bajramit është pjesë përbërëse e shënimit të kësaj feste. Çdo gjë përgatitet në mënyrë të veçantë: mbulesa e sofrës (tavolinës), enët, gjellëra me bollëk. Ëmbëlsira që e karakterizon festën është bakllavaja, por nuk mungojnë as sheqerparet e ndonjë ëmbëlsirë vendi apo rajoni. Kjo varet edhe nga fuqia ekonomike e familjes.
Edhe diçka. Gjatë ditëve të bajramit është i ndaluar agjërimi, sepse këto janë ditë të ushqimit dhe pijeve. (Ahmedi dhe Muslimi).
Vizitat gjatë Bajramit
Ditën e parë të Bajramit zakonisht vizitohet familja e ngushtë dhe e gjerë, e më vonë edhe fqinjët, miqësia, kolegët etj.