Pas skandalit, tërhiqet i besuari i Zelensky-t
Shefi i kabinetit të presidentit Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak, ka dhënë dorëheqjen pas kontrolleve që iu bënë banesës së tij në Kiev nga agjencitë kundër korrupsionit.
Yermak, 54 vjeç, një nga njerëzit më të afërt të Zelenskyt dhe negociatori kryesor në bisedimet e paqes, kishte qenë nën presion të madh publik për shkak të një skandali të përshkallëzuar korrupsioni, megjithëse ai nuk është akuzuar zyrtarisht për ndonjë shkelje.
Në një adresim të ashpër para zyrës së tij presidenciale në Kiev, Zelensky bëri thirrje për unitet kombëtar.
“Rusia me të vërtetë dëshiron që Ukraina të bëjë gabime. Nuk do të ketë gabime nga ana jonë. Nëse e humbasim unitetin, rrezikojmë të humbasim gjithçka: veten, Ukrainën, të ardhmen tonë.”, tha Zelensky.
Hetimet lidhen me një skemë të dyshuar korrupsioni prej 100 milionë dollarësh në sektorin energjetik. Ndërkohë, Rusia vazhdon presionin diplomatik dhe ushtarak, ndërsa presidenti Putin kërkon tërheqjen e plotë të Ukrainës nga Donbasi.