Pamje që emocionojnë. Artemis II thyen rekord për udhëtimin më të largët të njerëzimit nga Toka
Misioni Artemis II i NASA ka hyrë në histori, duke thyer rekordin për udhëtimin më të largët të njerëzimit nga Toka, një arritje që nuk ishte tejkaluar që nga misioni legjendar Apollo 13.
Katër astronautët në bordin e kapsulës Orion tejkaluan distancën prej 400,171 kilometrash nga Toka të hënën në orën 15:58 GMT, duke lënë pas rekordin e vendosur në prill të vitit 1970.
Misioni, i cili po zhvillon një fluturim rreth anës së padukshme të Hënës, pritet të arrijë distancën maksimale prej rreth 406,788 kilometrash nga Toka në orën 23:07 GMT. Gjatë këtij fluturimi, ekuipazhi do të kalojë më shumë se gjashtë orë duke analizuar dhe dokumentuar sipërfaqen hënore.
Pas kësaj, kapsula do të kthehet drejt Tokës përmes një trajektoreje të ashtuquajtur “free-return”, një rrugë kthimi që zgjat rreth katër ditë.
Dita historike nisi me një mesazh të regjistruar nga astronauti i ndjerë Jim Lovell, i cili kishte marrë pjesë në misionet Apollo 8 dhe 13.
“Është një ditë historike… mos harroni të shijoni pamjen”, ishte mesazhi i tij për ekuipazhin, duke e quajtur orbitën hënore “lagjja ime e vjetër”.
Gjatë kalimit në anën e largët të Hënës, astronautët do të vëzhgojnë territore që nuk janë parë kurrë drejtpërdrejt nga njerëzit. Një nga imazhet e para të dërguara në Tokë tregon basenin gjigant Orientale basin, një krater i madh që më parë ishte studiuar vetëm nga misione pa ekuipazh.
Sipas shkencëtares kryesore të misionit, Kelsey Young, syri i njeriut mbetet instrumenti më i avancuar për vëzhgim në hapësirë, duke tejkaluar edhe teknologjinë më moderne të kamerave.
Misioni udhëhiqet nga komandanti Reid Wiseman dhe përfshin disa “të para” historike: Victor Glover do të jetë personi i parë me ngjyrë që fluturon rreth Hënës, Christina Koch gruaja e parë, ndërsa Jeremy Hansen kanadezi i parë në një mision të tillë.
Për rreth 40 minuta gjatë fluturimit, komunikimi me ekuipazhin do të ndërpritet, pasi kapsula do të kalojë pas Hënës.
Sipas zyrtarëve të NASA-s, ky mision është një hap kyç drejt projekteve të ardhshme si Artemis III dhe Artemis IV, që synojnë rikthimin e njerëzimit në sipërfaqen hënore pas më shumë se pesë dekadash.