Pa analiza të ushqimit – qytetarët të ekspozuar ndaj rrezikut
Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë (OKM) paralajmëron se nuk ka mjete financiare për të kryer analiza të pavarura mbi sigurinë e ushqimit dhe produkteve të tjera që hidhen në treg, edhe pse qytetarët gjithnjë e më shumë shfaqin interes për cilësinë e asaj që blejnë, përcjell PressOnline.al.
“Për të qenë të sigurt në cilësinë e ushqimit dhe produkteve të tjera që i konsumojmë, nevojiten sa më shumë analiza të pavarura. Një testim i tillë nuk është bërë prej kohësh në vendin tonë, pasi buxheti nuk ka mjete për këtë qëllim. Paratë që marrim nga shteti për mbrojtjen e konsumatorëve janë minimale dhe kryesisht aktivitetet tona i bëjmë pro bono”, deklaroi për Sloboden Peçat kryetarja e OKM-së, Marijana Lonçar Velkova, përcjell PressOnline.al.
Ajo thekson se sistemit të kontrollit në Maqedoni i mungon pjekuria për të lejuar organizatat e konsumatorëve të kryejnë analiza të pavarura, pasi “pas çdo analize do të shtrohej pyetja kush e ka paguar dhe a ka qenë e porositur”.
Ushqim i dyshimtë në treg, pa analiza serioze
Lonçar Velkova paralajmëron për rrezikun nga produkte me afat të kaluar përdorimi, madje edhe të antidatuara, si dhe për ushqim me mbetje pesticidesh ose kimikatesh të ndaluara, për të cilat vazhdimisht raportojnë institucionet evropiane.
“E dimë se BE ka standarde shumë të larta për sigurinë e ushqimit falë legjislacionit të fuqishëm dhe sistemit të shpejtë të paralajmërimit (RASFF). Ne jemi të lidhur me këtë sistem dhe paralajmërohemi për produktet e pasigurta që mund të gjenden në treg. Por siguri e plotë është e vështirë të vendoset. Për më tepër, disa tregtarë praktikojnë mashtrime duke ngjitur etiketa të reja mbi datën e skadencës, duke mashtruar kështu konsumatorët”, tha ajo.
Një qytetare e anketuar nga Sloboden Peçat për temën shtoi:
“Duhet të dimë kush e ka shkelur ligjin këtu dhe a është ndëshkuar. Pothuajse çdo ditë lexojmë për produkte të tërhequra nga tregu në vendet e BE-së, ndërsa këtu pyesim pse nuk ka analiza serioze që të dimë çfarë na servojnë importuesit, jo vetëm te ushqimi, por edhe te produktet e tjera.”
Rreziqe edhe nga frutat, perimet dhe tregtia online
Problematike mbetet edhe shitja e frutave dhe perimeve në rrugë dhe autostrada, ku ato ekspozohen ndaj gazrave të automjeteve, si dhe vaditja me ujë të ndotur, që sipas OKM-së sjell prodhime të pasigurta në tryezat e qytetarëve.
Ankesat më të shumta të konsumatorëve, sipas organizatës, lidhen me pajisjet elektroshtëpiake – makina larëse, frigoriferë dhe klima inverterë – të cilat shpesh rezultojnë me defekte që në përdorimin e parë, ndërsa konsumatorët presin me muaj për servisim.
Në anën tjetër, një hulumtim i fundit i Këshillit Danez të Konsumatorëve ka zbuluar se 9 nga 11 palë këpucë të blera në platformat online jashtë BE-së (AliExpress, Shein, Temu) përmbajnë substanca të ndaluara dhe të rrezikshme si ftalate, metale të rënda dhe përbërës kancerogjenë. Ndërsa nga pesë palë këpucë të blera në dyqane fizike brenda BE-së, asnjë nuk rezultoi me përbërës të paligjshëm.
Apel për më shumë kontrolle
Sipas OKM-së, qytetarët nuk mund të mbrohen vetë nga rreziqet pa veprimin aktiv të inspektorateve shtetërore.
“Ne vetë vështirë se mund të mbrohemi, nëse inspektorët nuk janë në terren dhe nuk kontrollojnë”, paralajmëron Lonçar Velkova. (PressOnline.al)