Osmani sjell burokratë të huaj, Mexhiti pi kafe me legjendën e FC Shkupit – Për kë do të votojnë çairasit?
Edhe pse deri më 19 tetor ka ende kohë, zgjedhjet komunale tashmë po ndezin garën në Çair. Për disa ato janë zgjedhje lokale ku qytetari identifikohet me kandidatin dhe zgjedh kryetarin që i njeh e i zgjidh problemet e përditshme, për të tjerë, siç shprehen disa kandidatë, janë “referendum” dhe “jetë a vdekje”.
Kandidati i BDI-së, tashmë i ribrenduar si AKI, Bujar Osmani, ka zgjedhur të prezantohet përmes video-mesazheve nga figura të jashtme dhe burokratike. Pas një “meksikani shpëtimtar” dhe një video nga Josep Borrell, së fundi ai publikoi një mesazh nga Majlinda Bregu ish-sekretare e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, por pa post aktual.
“Një zë i njohur nga rajoni për Çairin: Majlinda Bregu”, e prezanton Osmani. Por sa e njohur është ajo për qytetarët e Çairit? Mjafton të shihen komentet në rrjete sociale, ku mbi 90% thonë se nuk e dinë kush është.
Ndërkohë kandidati i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka zgjedhur një qasje të kundërt u ul në Çarshi për kafe me një figurë që çdo çairas e njeh, ish-kapitenin e FC Shkupit, Nexhmedin Memedin. Ky gjest është pritur me reagime pozitive, pasi për qytetarët, Memedi është kujtim i gjallë dhe simbol i lidhjes së drejtpërdrejtë me Çairin.
Në fund, pyetja mbetet e hapur: a do të vlejë më shumë mbështetja e burokratëve të huaj apo afërsia me jetën e përditshme të banorëve të Çairit? Përgjigjja do të vijë më 19 tetor, në kutitë e votimit./VOXAL/