Osmani prezanton projektin “Çair për të gjithë fëmijët”
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, ka prezantuar projektin “Çair për të gjithë fëmijët – Përfshirje dhe Mbështetje”, me të cilin synon ngritjen e një Qendre Ditore për fëmijët me nevoja të veçanta.
Në një takim me prindërit e fëmijëve me autizëm, Osmani tha se ky projekt nuk është thjesht një premtim elektoral, por një plan i qartë për të përmirësuar jetën e fëmijëve dhe familjeve të tyre.
“Sot jemi mbledhur për një arsye të veçantë – për fëmijët tuaj. E di se çdo ditë përballeni me sfida të mëdha, nga sigurimi i terapisë së duhur e deri te mundësia që ata të kenë një vend në shoqëri. Nuk vij me fjalë boshe, por me një vizion konkret”, tha Osmani.
Ai shpjegoi se qendra do të ofrojë trajtime falas defektologjike, logopedike dhe psikologjike për fëmijët nga familjet me gjendje të rënduar financiare, aktivitete psiko-fizike dhe edukative, si dhe mbështetje profesionale për prindërit.
“Qendra nuk do të jetë vetëm një institucion, por një shtëpi e dytë, ku fëmijët do të ndihen të pranuar dhe të dashur. Për prindërit do të ofrojmë këshillim dhe mbështetje profesionale, sepse kujdesi për një fëmijë me aftësi të kufizuara është kujdes për tërë familjen”, theksoi Osmani.
Në programin e tij, ai parashikon edhe krijimin e një fondi komunal për mbështetje financiare, me të cilin do të mbulohen një pjesë e shpenzimeve për barna, terapi dhe mjete ndihmëse si karroca për invalidë, aparate dëgjimi dhe pajisje ortopedike.
Osmani premtoi se përmes projektit “Çair për të gjithë fëmijët” do të sigurohen hapësira të përshtatura për fëmijët me nevoja të veçanta brenda 12 muajve, si klasa, salla terapeutike dhe kënde lojërash të qasshme.
“Do ta bëjmë Çairin një komunë ndryshe, me shkolla, terrene sportive dhe institucione të qasshme për të gjithë. Lëvizja nuk duhet të jetë privilegj, por e drejtë për çdo fëmijë. Inkluzioni është rruga e vërtetë drejt një komuniteti të shëndetshëm dhe të fortë”, deklaroi ai.
Në fund, Osmani shtoi se do të ketë aktivitete kulturore dhe sportive ku fëmijët me nevoja të veçanta do të marrin pjesë bashkë me bashkëmoshatarët e tyre, duke thyer paragjykimet dhe barrierat sociale.
“Vizioni im është që Çairi të jetë një komunë pa barriera, ku çdo fëmijë do të ketë mundësi të barabarta për t’u rritur, për të mësuar dhe për t’u zhvilluar. Ju dhe fëmijët tuaj jeni në zemrën e programit tim, dhe unë do të jem me ju edhe pas zgjedhjeve, kur ky vizion do të kthehet në realitet”, tha Osmani./VOXAL/