Nxënësit e Likovës nisin shtatorin pa libra, pritet furnizimi deri në fund të muajit
Nxënësit në shkollat e Komunës së Likovës vazhdojnë të kenë mungesë të librave edhe në javën e dytë të vitit të ri shkollor, pavarësisht premtimeve të ministres së Arsimit se këtë vit nuk do të ketë mungesë të librave, shkruan Portalb.mk. Problemi i mungesës së librave pengon arsimin e mirëfilltë me vite të tëra në RMV, kurse autoritetet secilin fillim-vit japin deklarata por nuk ndërmarrin hapa thelbësore për ta zgjidhur çështjen deri në fund.
Portalb.mk bisedoi me disa drejtorë të shkollave fillore dhe të mesme në Komunën e Likovës, të cilët thanë se kanë pranuar disa tekste të reja, por jo të gjitha.
“Për këtë vit shkollor, furnizimi me libra ka qenë pjesërisht i plotësuar. Nxënësit e klasës së parë deri në të tretën kanë marrë disa libra, ndërsa për klasat e tjera Ministria e Arsimit ka dërguar njoftim se deri më 18 shtator do të furnizohen edhe ata. Përditë pritet të arrijnë libra të tjerë. Ndërsa klasat e gjashta kanë marrë librin e gjeografisë, klasat e shtatë librin e arsimit qytetar, këto janë sjellë pjesërisht, ndërsa librat e tjera mungojnë”, tha Naip Pajaziti, drejetori i shkollës fillore komunale “Anto Zako Çajupi, Hotël.
Pajaziti theksoi se të gjithë librat duhej të ishin në shkollë që më 1 shtator. Për këtë arsye, stafi i shkollës filloi punën më herët për t’u përgatitur. Ne kemi qenë në shkollë që nga data 10 gusht, dhe ata që kanë pranuar librat kanë qëndruar deri në orën 16:00 për t’i përgatitur.
“Jo të gjithë nxënësit kanë marrë libra. Për vitet e para, Ministria ende nuk ka dërguar tekstet, megjithëse ekziston një shkresë që konfirmon se do të ketë libra për gjimnazin. Besoj se gjatë muajit shtator librat do t’i sjellin”, tha Isni Aliji drejtori i shkollës së mesme komunale “Ismet Jashari” Likovë.

“Prej klasës së parë deri në klasën e tretë nxënësit janë pajisur me libra. Nxënësit e klasës së shtatë janë pajisur me librin e Gjeografisë. Në ditët në vijim pritet që nxënësit të pajisen me të gjithë librat e tjerë, sipas premtimit të dhënë nga ana e Ministrisë së Arsimit”, tha Mojsi Shabani drejtori shkollës fillore “Kultura”, Mateç.

Ankohen dhe nxënësit
“Unë jam nxënës i klasës së shtatë. Kemi marrë vetëm librat e gjuhës angleze, arsimit qytetar, dhe matematikës, por na mungojnë librat e gjuhës shqipe. Kanë kaluar dy javë që kur kemi filluar me mësimin, dhe ende nuk kemi libra, gjë që e bën pothuajse të pamundur të mësojmë si duhet”, tha një nxënës i klasës së shtatë.
“Kemi marrë librat për shkencën, historinë, gjuhën shqipe, vizatim dhe matematikë dhe jam i gëzuar që mund të mësoj me ta”,tha një nxënës i klasës së tretë.
Nga Komuna e Likovësnuk japin numër konkret se sa libra mungojnë në të gjithë shkollat.
Kujtojmë se më 10 shtator 2025, Portalb.mk analizoi situatën në disa shkolla fillore dhe të mesme në Tetovë, ku udhëheqësit theksuan se kanë pranuar disa libra, por jo të gjithë.
Ministrja me javë trumbetonte se ka libra, që më pas të pranojë se nuk ka
Prej javësh, ministrja e Arsimit Vesna Janevska ka siguruar se këtë vit, të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në vitin e katërt të arsimit të mesëm do të kenë tekste shkollore dhe se kjo Qeveri e ka bërë të mundur këtë, si asnjë tjetër para saj. Megjithatë, më 5 shtator pas ankesave të prindërve në konferencë me gazetarët, ajo pranoi se ka probleme me tekstet shkollore, ndërkaq për të njëjtat janë shpenzuar 11 milionë euro.
Megjithatë, edhe pas kësaj deklarate si dhe pas konfmrimit të redaksisë sonë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës një përgjigje për Portalb.mk vazhdojnë të insistojnë deklarativiaht se janë siguruar tekste shkollore për të gjithë nxënësit.
“Plotësisht të reja janë për klasën e shtatë në arsimin fillor dhe për vitin e parë në gjimnaz për shkak të zbatimit të programeve të reja mësimore, ndërsa për herë të parë pas shtatë vitesh ka edhe tekste të reja në të gjitha gjuhët e huaja në arsimin fillor dhe të mesëm. Është shtypur i gjithë tirazhi që e kërkuan shkollat përmes aplikacionit elektronik të MASh-it”, thanë nga Ministria e Arsimit.
Kujtojmë problemi i mungesës së librave pengon arsimin e mirëfilltë me vite të tëra në RMV, kurse autoritetet secilin fillim-vit japin deklarata por nuk ndërmarrin hapa thelbësore për ta zgjidhur çështjen deri në fund