Në katër komuna të Shkupit u shpall epidemi e Etheve të Nilit Perëndimor
Autoritetet shëndetësore kanë shpallur epidemi të Etheve të Nilit Perëndimor në katër komuna të Shkupit, transmeton Portalb.mk.
Epidemia është shpallur në Kisella Vodë, Ilinden, Gazi Babë dhe Butel.
Sipas autoriteteve shëndetësore, që nga fillimi i vitit janë konfirmuar 24 pacientë të prekur nga ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa dy raste të tjera janë të dyshuara.
20 pacientë janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive prej të cilëve pesë janë në gjendje të rëndë.
Pjesa më e madhe e të prekurve janë pensionistë.
Një pacient i infektuar ka ndërruar jetë. Ai ishte 83 vjeç dhe, sipas autoriteteve shëndetësore, kishte disa sëmundje bashkëshoqëruese.
Pesë pacientë të shtruar në Klinikën Infektive janë në gjendje kritike dhe po trajtohen me ventilim mekanik.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski, së bashku me përfaqësuesit e Institutit të Shëndetit Publik, Qendrës së Shëndetit Publik Shkup dhe Klinikës së Sëmundjeve Infektive, në konferencën e sotme për shtyp informuan për situatën epidemiologjike lidhur me ethet e Nilit Perëndimor në vend.
“Po e informojmë publikun në kohë dhe në mënyrë transparente për situatën me ethet e Nilit Perëndimor. Kjo nuk është një sëmundje e re; ajo ka qenë e pranishme edhe gjatë viteve të mëparshme, ndërsa këtë vit, për shkak të situatës aktuale epidemiologjike, numrit të rasteve të konfirmuara dhe aktivitetit të virusit, u paraqit nevoja për një reagim më të fuqishëm institucional. Po e ndjekim situatën në koordinim me Institutin e Shëndetit Publik, Qendrat e Shëndetit Publik, Komisionin për Sëmundje Infektive dhe Klinikën e Sëmundjeve Infektive, me qëllim që rastet të identifikohen dhe të trajtohen në kohë, si dhe të parandalohet shfaqja e rasteve të reja”, theksoi Andovski.
Ai porositi se nuk ka vend për panik, por nevojiten kujdes dhe përgjegjësi, përkatësisht qytetarët duhet të ndërmarrin masa për mbrojtje personale, të veshin rroba të përshtatshme dhe të shmangin vendet ku ekspozimi ndaj mushkonjave është më i madh.
Marija Goçevska nga Instituti i Shëndetit Publik informoi se, deri më 11 gusht, janë regjistruar gjithsej 26 raste, prej të cilave dy janë raste të mundshme. Nga këto, 25 persona janë nga Shkupi dhe një nga Velesi. Sa i përket grupmoshës, Goçevska bëri të ditur se 22 persona janë mbi 60 vjeç.
“Bëhet fjalë për raste autoktone nga vendi ynë, ndërsa një person ka udhëtuar në Greqi. Të gjitha rastet janë me formë neuroinvazive”, sqaroi Goçevska.
Drejtori i Klinikës së Sëmundjeve Infektive dhe Gjendjeve Febrile, Fadil Cana, informoi se pacientët po trajtohen në klinikë, e cila disponon kapacitete dhe diagnostikim të përshtatshëm.
“Katër pacientë konsiderohen si raste të dyshuara dhe procedura diagnostikuese është në vijim. Tetë pacientë janë liruar për mjekim në shtëpi, por, për fat të keq, duhet të informoj se një pacient 83-vjeçar ka ndërruar jetë. Pacienti vuante edhe nga sëmundje të tjera”, theksoi Cana.
Mënyra më efikase e parandalimit është mbrojtja nga pickimet e mushkonjave. Rekomandohet të shmanget qëndrimi në ambiente të hapura në agim dhe në muzg, kur mushkonjat janë më aktive, si dhe të përdoren repelentë dhe rrjeta mbrojtëse në dyer dhe dritare.
Qytetarët duhet rregullisht të largojnë ujërat e ndenjura nga oborret dhe tarracat, pasi ato paraqesin vende të përshtatshme për shumimin e mushkonjave.
Ethet e Nilit Perëndimor janë infeksion viral i shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Te njerëzit përcillet nëpërmjet pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Nga format e rënda të sëmundjes më të rrezikuar janë personat mbi 60 vjet, personat me sistem imunitar të dobësuar dhe personat me gjendje kronike mjekësore.
Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.
Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.
Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.