Moldavi: Partia pro-evropiane e Sandu-së fiton zgjedhjet, rriten shpresat për anëtarësim në BE
Partia e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS) e presidentes Maia Sandu ka fituar bindshëm zgjedhjet parlamentare të së dielës në Moldavi, duke marrë mbi 50% të votave, sipas rezultateve pothuajse përfundimtare. Rivalët e saj kryesorë, Blloku Patriotik me orientim pro-rus, mbetën larg me rreth 24%.
Fitorja e Sandu-së shihet si një hap vendimtar drejt anëtarësimit të Moldavisë në Bashkimin Evropian dhe si refuzim i ndikimit të Moskës. Liderët e BE-së përshëndetën zgjedhjet, duke folur për “një zgjedhje të qartë për demokracinë dhe Evropën”, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se Rusia dështoi ta destabilizojë Moldavinë.
Nga ana tjetër, Kremlini akuzoi autoritetet moldave se kufizuan votën e diasporës në Rusi dhe ngriti dyshime për shkelje zgjedhore. Ish-presidenti Igor Dodon dhe Blloku Patriotik shpallën protesta, duke pretenduar se qindra mijëra qytetarë të Transdniestrisë nuk u lejuan të votojnë.
Megjithëse rezultatet përforcojnë kursin evropian të Moldavisë, qeverinë e re e presin sfida të rënda: inflacioni i lartë, kriza energjetike dhe ndarja e thellë mes mbështetësve të Evropës dhe atyre që shohin nga Rusia./VOXAL/