Mogherini dhe zyrtarë të lartë të BE-së arrestohen në hetimin për mashtrim me fondet e BE-së
Ish-shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, është arrestuar nga policia belge të martën, si pjesë e një hetimi të gjerë mbi dyshimet për keqpërdorim të fondeve të BE-së në Akademinë Diplomatike të Kolegjit të Evropës në Bruges, bëjnë të ditur burime të Euractiv dhe De Standaard.
Policia belge ka kryer kontrolle në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), në Kolegjit e Evropës, si dhe në disa banesa private. Hetimet lidhen me mënyrën se si janë menaxhuar fondet e BE-së gjatë themelimit dhe funksionimit të Akademisë së re Diplomatike.
Një zëdhënës i Kolegjit të Evropës ka deklaruar se nuk ka informacion nëse Mogherini është arrestuar, duke refuzuar të komentojë më shumë. Mogherini ka qenë rektore e Kolegjit që nga viti 2020 dhe drejtuese e Akademisë që nga viti 2022.
Burimet konfirmuan se është ndaluar edhe një tjetër punonjës i Kolegjit, i përfshirë në departamentin e edukimit ekzekutiv.
Në mesin e të arrestuarve është edhe Stefano Sannino, zyrtar i lartë i Komisionit Evropian dhe ish-sekretar i përgjithshëm i EEAS gjatë mandatit të Mogherinit, periudhë kur u krijua Akademia Diplomatike. Aktualisht ai drejton departamentin e Komisionit për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Gjirin.
Komisioni Evropian ka konfirmuar praninë e policisë në objektet e EEAS, duke theksuar se hetimi lidhet me aktivitete të një mandati të kaluar. Për shkak të procesit hetimor, nuk janë dhënë detaje të tjera.
Presidenti i Këshillit Administrativ të Kolegjit të Evropës, Herman Van Rompuy, tha se është njoftuar vetëm “gjysmë ore më parë” për zhvillimet në Bruges.