Mikrobiologu Panovski për situatën në Gostivar: Duhet të shpallet epidemi
Profesori i Fakultetit të Mjekësisë në Shkup dhe ish-drejtori i Institutit të Mikrobiologjisë dhe Parazitologjisë, dr. Nikolla Panovski, thotë se në Gostivar ka një epidemi të gastroenteritit.
Ai, përmes një postimi në Facebook, kritikoi shërbimet epidemiologjike për mosveprimin e tyre në një situatë me një numër të madh të të prekurve, transmeton Portalb.mk.
“Në Gostivar ka një epidemi të gastroenteritit. Janë regjistruar 1.500 persona me të njëjtat simptoma dhe të paktën edhe 5.000 të tjerë nuk janë paraqitur te mjeku. Në një qytet janë sëmurë 30% e popullsisë nga e njëjta sëmundje, e megjithatë nuk ka kushte për shpalljen e epidemisë! Bravo atëherë. Epidemiologë, ku jeni? Kjo nuk është politikë, kjo është detyra juaj të reagoni”, shkroi dr. Panovski në profilin e tij në Facebook.
Institucionet kompetente edhe dje vazhduan hetimet për të përcaktuar shkaqet e problemeve masive me stomakun në Gostivar. Instituti i Shëndetit Publik njoftoi pasdite dje se, pas marrjes së kërkesës nga Prokuroria Publike,ekipet kanë dalë menjëherë në terren në lokacionet e përmendura në Gostivar dhe kanë marrë mostra për analiza mikrobiologjike dhe fiziko-kimike.
Tani priten rezultatet përfundimtare laboratorike, të cilat do të tregojnë nëse shkaku lidhet me ujin e pijshëm.
Pas rritjes së numrit të qytetarëve të cilët ditëve të fundit janë ankuar për probleme me stomakun dhe janë paraqitur në Spitalin e Gostivarit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka kërkuar të kryhen kontrolle të jashtëzakonshme të ujit të pijshëm, nga ku më pas e ka ndaluar përdorimin e ujit për pije nga sistemi i ujësjellësit të Gostivarit, për shkak të dyshimeve të bazuara se ai është i ndotur dhe i pasigurt për konsum.
Nga Spitali i Përgjithshëm “Ferid Murad” kanë konfirmuar se në repartin infektiv dhe atë pediatrik ka një numër të shtuar kontrollesh dhe qytetarësh që ankohen për diarre, dhimbje barku, të vjella dhe temperaturë të lartë. Sipas gjetjeve fillestare dhe pamjes klinike, me shumë gjasa bëhet fjalë për viroza sezonale dhe nuk ka lidhje epidemiologjike mes rasteve.
Nga Departamenti për Higjienë dhe Ekologji Shëndetësore të Qendrës së Shëndetit Publik-Gostivar, kanë konfirmuar se është kryer një kontroll i jashtëzakonshëm dhe janë marrë mostra nga katër pika matëse.
Autoritetet shëndetësore bëjnë apel që qytetarët të kenë kujdes më të madh për higjienën dhe zakonet e përditshme, veçanërisht gjatë periudhës së verës kur temperaturat janë të larta dhe rreziku nga infeksionet e zorrëve rritet ndjeshëm.
Pas raportimeve për ndotje të ujit në Gostivar, nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se institucionet kompetente janë në terren dhe se po merren masa për zbardhjen e rastit.
Ndryshe, nga Prokuroria Themelore njoftuan se po ndërmerren veprime në lidhje me kontrollin e cilësisë së ujit në Gostivar.