Mijëra qytetarë të RMV-së ia mësyjnë Greqisë dhe shteteve të tjera për fundjavën e zgjatur
Fundjava e zgjatur me rastin e festës së Pashkëve ka rritur ndjeshëm qarkullimin në vendkalimet kufitare në vend, ndërsa fluksi më i madh është regjistruar në Bogorodicë dhe Tabanoc. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë 24 orëve të fundit në këto dy pika kufitare kanë kaluar mbi 16 mijë udhëtarë, ndërsa shifrat tregojnë për një valë të shtuar lëvizjesh të qytetarëve të RMV-së drejt Greqisë dhe shteteve të tjera.
Sipas MPB-së, në vendkalimin kufitar Bogorodicë, në periudhën nga e enjtja në mesditë deri sot në mesditë, nga shteti kanë dalë 6.864 shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa në vend kanë hyrë 1.394 persona. Në të njëjtën periudhë, 4.753 shtetas të huaj kanë hyrë në vend, ndërsa 5.070 e kanë lëshuar atë.
Numër i madh udhëtarësh është regjistruar edhe në vendkalimin Tabanoc, ku dalje nga shteti kanë realizuar 9.150 shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa hyrje kanë pasur 3.158. Sipas MPB-së, 7.360 shtetas të huaj kanë hyrë në vend, ndërsa 5.449 persona e kanë lëshuar shtetin.
Rritje e qarkullimit është evidentuar edhe në vendkalimin kufitar Dojran, ku 546 shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë dalë nga shteti, ndërsa 241 kanë hyrë. Në të njëjtën periudhë, 1.212 shtetas të huaj kanë hyrë në vend, ndërsa 1.114 e kanë lëshuar atë.
Në Mexhitli, ndërkaq, 832 shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë dalë nga shteti, ndërsa 129 kanë hyrë. Sa u përket shtetasve të huaj, 3.347 kanë hyrë në vend, ndërsa 3.038 e kanë lëshuar atë.
Të dhënat tregojnë se festat kanë sjellë lëvizje të shtuara në kufijtë e vendit, veçanërisht në pikat më të frekuentuara, ku qytetarët e RMV-së po ia mësyjnë Greqisë dhe shteteve të tjera, ndërsa fluksi i shtuar pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim./VOXAL/