Mickoski propozon taksa për të pamartuarit, synon rritjen e popullsisë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka nxjerrë në pah një ide të pazakontë për të përballuar krizën demografike në vend: vendosjen e taksave shtesë për personat që nuk janë martuar.
Në një debat qeveritar mbi trendet demografike dhe sfidat e ardhshme, Mickoski theksoi se kjo masë po merret seriozisht në konsideratë si një mënyrë për të inkurajuar të rinjtë të krijojnë familje dhe të kenë më shumë fëmijë.
“Ne po mendojmë seriozisht për tatimin mbi të pamartuarit,” tha kryeministri. “Jeta është më e shenjtë se çdo gjë, por shteti ynë po boshatiset ngadalë. Është koha që të reagojmë, të ndërtojmë një të ardhme ku lindin më shumë fëmijë dhe ku të rinjtë zgjedhin martesën.”
Statistikat tregojnë një gjendje alarmante: në vitin 2024, lindjet arritën në 16,061, ndërsa vdekjet ishin 20,201, duke sjellë një rënie natyrore prej 4,140 banorësh vetëm brenda një viti. Gjatë katër viteve të fundit, vendi ka humbur mbi 33,000 banorë.
Përballë kësaj situate, Maqedonia e Veriut ka provuar gjatë viteve disa masa stimuluese për rritjen e natalitetit. Një ndër më të njohurat ishte periudha nën qeverisjen e VMRO-DPMNE-së me Nikolla Gruevskin, ku u ofruan pagesa mujore për fëmijët e tretë dhe të katërt, sidomos për nëna të papuna që kujdeseshin për ta.
Gjatë periudhës 2009-2018, këto pagesa ishin rreth 130 euro në muaj për fëmijën e tretë deri në moshën 10 vjeç, dhe 183 euro në muaj për fëmijën e katërt deri në 14 vjeç. Në vitin 2018, kjo formë e pagesave u hoq dhe u zëvendësua me kompensime një-herëshme për të gjitha nënat, pa marrë parasysh statusin social, në momentin e lindjes. 81 euro për fëmijën e parë, 325 për të dytin, dhe 975 për të tretin.