Mickoski: Agjencitë më përgjonin, nuk jam i befasuar ,pres që “brejtësit” të përfundojnë pas hekurave
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Agjencia e Inteligjencës dhe Agjencia për Siguri Kombëtare në të kaluarën janë marrë me të, por edhe me gazetarë e biznesmenë. Ai nënvizoi se puna tani është në duart e drejtësisë.
“Le ta lëmë këtë periudhë procesin të rrjedhë, të shohim çfarë do të thotë Prokuroria, gjyqtarët në një proces gjyqësor”, tha Mickoski.
Ai tha se përgjimet nuk e kanë habitur, pasi është mësuar me “atë lloj njerëzish”, të cilët i cilësoi si “botë e errët” e shoqërisë.
“Jam mësuar. Ja, po përfundon viti i tetë që kur jam kryetar i VMRO-DPMNE-së. Jam mësuar me atë lloj njerëzish. Dhe nuk më habit, sepse edhe atëherë na vinin informacione për gjithçka që ndodhte. Thjesht, një tip i tillë njerëzish, unë do t’i quaja ‘botë e errët e shoqërisë’, nuk kanë në jetë motiv të merren me gjëra të mira, ndaj merren me jetët e të tjerëve, duke menduar se në këtë mënyrë do të fitojnë ndonjë lavdërim apo përparësi te eprorët e tyre. Por nuk do të ecin përpara në karrierat e tyre”, theksoi ai.
Mickoski theksoi se pret që, siç i quajti, “brejtësit”, të përfundojnë pas hekurave dhe të mbyllet njëherë e përgjithmonë keqpërdorimi i agjencive të sigurisë.