Mexhiti dhe Osmani vazhdojnë takimet me banorët e Çairit
-Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka vazhduar takimet me banorët e kësaj komune. Këtë herë, ai u prit në konakun e familjes Elmazi në lagjen Fushë Topanë
Familja e Faruk Elmazit i hapi dyert duke e mikëpritur në mënyrë vëllazërore, siç është traditë brez pas brezi në familjet shqiptare.
“Kudo dhe në çdo lagje, po vërehet një përkrahje e fuqishme për vizionin tonë. Fitorja jonë është e pashmangshme, sepse përpjekja për Çairin ia vlen gjithmonë. Çdo ditë e punës sime si kryetar i ardhshëm do të jetë vetëm për ty, Çair, sepse Çairi është diamant,” u shpreh Mexhiti.
Kandidati për kryetar komune në Çair nga radhët e AKI-së, Bujar Osmani ka qëndruar në një familje bujare e shumë fisnike, në familjen Mustafa ku patën një bashkëbisedim tejet produktiv, ku u prekën çështjet më të ndjeshme që preokupojnë qytetarët e Çairit.
“Në familjen e nderuar dhe bujare Mustafa patëm një bashkëbisedim tejet produktiv, ku u prekën çështjet më të ndjeshme që preokupojnë qytetarët e Çairit. Atmosfera mikpritëse dhe fjala e sinqertë e kësaj familje janë dëshmi se Çairi ka burime të pashtershme energjie, vullneti dhe dashurie për vendin tonë. Të gjithë ndajmë të njëjtat brenga: nevojën për institucione që punojnë me transparencë, për rrugë të pastra e të ndriçuara, për hapësira të gjelbra e për një jetë më cilësore. Këto nuk janë thjesht dëshira individuale, por aspirata të përbashkëta që na bashkojnë si komunitet”, ka shkruar Osmani.