Më pak fakultet, më shumë zanat: Studime 1–2 vjeçare për zanate dhe punësim të shpejtë
Një model i ri studimi po përgatitet të hyjë në sistemin arsimor në Maqedoninë e Veriut, duke ndryshuar mënyrën tradicionale se si të rinjtë orientohen pas shkollës së mesme. Në vend të rrugës klasike drejt fakultetit, strategjia e re e arsimit parasheh futjen e studimeve të shkurtra profesionale, të fokusuara në zanate dhe aftësi konkrete për tregun e punës, raporton VOXAL.
Sipas Strategjisë për Arsim 2026–2032, këto programe do të zgjasin nga një deri në dy vite dhe do të kenë dukshëm më pak ngarkesë akademike krahasuar me universitetet. Studentët do të ndjekin programe me rreth 90 deri në 120 kredite, që është pothuajse gjysma e një cikli të zakonshëm universitar, dhe në fund nuk do të marrin diplomë akademike, por kualifikim profesional.
Kjo nënkupton një ndryshim thelbësor në filozofinë e studimit: më pak teori dhe më shumë praktikë.
Në fakt, këto studime janë konceptuar si model fleksibil dhe i orientuar drejtpërdrejt nga tregu i punës. Programet do të zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë me kompani dhe oda ekonomike, ndërsa punëdhënësit do të përfshihen jo vetëm në trajnimin praktik, por edhe në vlerësimin e kandidatëve. Kjo do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e procesit të të mësuarit do të zhvillohet në ambiente reale pune, dhe jo vetëm në auditorë.
Në thelb, këto programe synojnë të krijojnë një rrugë të shpejtë dhe funksionale nga shkolla drejt punës. Strategjia e sheh këtë si përgjigje ndaj një problemi të kahershëm – mospërputhjes mes sistemit arsimor dhe nevojave reale të ekonomisë. Për vite me radhë, një pjesë e madhe e të rinjve kanë përfunduar studimet universitare pa aftësi praktike dhe pa mundësi të menjëhershme punësimi.
Me studimet afatshkurtra, synohet pikërisht kjo të ndryshojë: të krijohen profile profesionale që mund të hyjnë shpejt në treg dhe të plotësojnë mungesat në sektorë të caktuar.
Si do të nisë zbatimi
Edhe pse këto programe janë parashikuar në ligj, ato ende nuk janë zbatuar në praktikë. Strategjia parasheh që fillimisht të pilotohet modeli në disa fusha konkrete dhe më pas të zgjerohet në nivel kombëtar.
Në të njëjtën kohë, parashikohet ndërtimi i një sistemi të plotë për kualifikime profesionale në nivelin V (pas arsimit të mesëm), i harmonizuar me standardet evropiane dhe i lidhur ngushtë me tregun e punës.
Megjithatë, këto studime nuk e përjashtojnë mundësinë për arsimim të mëtejshëm. Ato janë konceptuar edhe si një urë që u lejon të rinjve, nëse dëshirojnë, të vazhdojnë më vonë në studime universitare.
Në praktikë, kjo reformë sjell një mesazh të qartë: fakulteti nuk do të jetë më rruga e vetme. Për shumë të rinj, alternativa do të jetë një trajnim më i shkurtër, më praktik dhe më i lidhur drejtpërdrejt me një profesion konkret./VOXAL/