Mbyllet USAID – Maqedonia humb një partner prej 900 milionë dollarësh
Nga 1 korriku 2025, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, mbyll zyrtarisht veprimtarinë e saj, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por në të gjithë botën. Kjo shënon fundin e një epoke bashkëpunimi që për Maqedoninë e Veriut ka zgjatur më shumë se 30 vite dhe ka sjellë investime prej 900 milionë dollarësh.
Vendimi u bë publik nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili në një deklaratë zyrtare nga Departamenti i Shtetit theksoi se:
“1 korriku shënon fillimin e një epoke të re të partneritetit global, paqes, investimeve dhe prosperitetit.”
Rubio kritikoi ashpër mënyrën se si ka funksionuar USAID ndër vite:
“Gjatë rishikimit të mijëra programeve dhe mbi 715 miliardë dollarëve të shpenzuara, u bë e qartë se USAID ka rënë shumë poshtë standardeve për të avancuar interesat e kombit tonë.”
Ai shtoi se agjencia shpesh kishte promovuar “ide dhe grupe anti-amerikane”, duke funksionuar më shumë si një formë bamirësie sesa si një mjet strategjik i politikës së jashtme amerikane.
Nga tani e tutje, ndihma e huaj e SHBA-së do të administrohet direkt nga Departamenti i Shtetit, me synimin për më shumë efikasitet, strategji dhe llogaridhënie, si pjesë e një kundërpërgjigjeje ndaj ndikimeve të huaja, veçanërisht modelit të ndihmave nga Kina.
Por për Maqedoninë e Veriut, kjo do të thotë humbja e një prej partnerëve më të mëdhenj të zhvillimit, që ka kontribuar në reforma demokratike, forcimin e institucioneve, mbështetjen për shoqërinë civile dhe sektorin e drejtësisë.
Në qershor, Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova zhvilloi një takim lamtumire me përfaqësuesen e USAID-it në Shkup, Jerry Dibble, në prani të ambasadores amerikane Angela Aggeler, e cila ka shprehur hapur zhgënjimin për mbylljen e zyrës së USAID në vend.
Reagimet në Maqedoni janë të ndara. Shoqëria civile flet për një boshllëk të madh që USAID lë pas, ndërsa të tjerë theksojnë se ndihmat amerikane do të vazhdojnë, por në formë tjetër. E sigurt është se 900 milionë dollarët e deritanishëm, të shpërndarë përmes USAID, kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në transformimin institucional të vendit.
Sipas të dhënave nga Richard Grenell, ish-emisar i SHBA për dialogun në Ballkan, në nivel rajonal gjatë viteve 2020–2024, USAID ka shpërndarë rreth 1.7 miliardë dollarë në fondacione dhe organizata në Ballkanin Perëndimor.
E themeluar në vitin 1961 nga Presidenti John F. Kennedy, USAID ka qenë një prej instrumenteve më të fuqishme të ndihmës dhe diplomacisë globale të SHBA-së. Mbyllja e saj shënon fundin e një epoke – edhe për Maqedoninë e Veriut.