MASh financon 29 nga 40 projekte për UKIM, FECh pyet: Diskriminim apo paaftësi e universiteteve shqiptare?
Forumi për Ndryshime në Arsim (FECh) njofton se nga 40 projekte-hulumtuese që Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka zgjedhur të financojë, 29 (rreth 72,5%) i janë ndarë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UKIM). Nga tre universitetet që funksionojnë në gjuhën shqipe, Universiteti i Tetovës (UT), Universiteti “Nënë Tereza” (UNT) dhe Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL), sipas FECh, vetëm 1 projekt i është ndarë UT-së.
Në reagimin e bërë publik, FECh shtron pyetjen nëse ky rezultat pasqyron mungesë kapacitetesh për aplikim nga universitetet në gjuhën shqipe apo diskriminim institucional në shpërndarjen e fondeve publike. Organizata thekson gjithashtu se “shumë pak projekte” u janë ndarë edhe universiteteve të tjera publike.
FECh u bën thirrje vetë universiteteve shqipfolëse, UT, UNT dhe UEJL, të reagojnë publikisht: nëse projektet e tyre nuk janë pranuar, të sqarohet arsyetimi; në të kundërtën, nëse problemi lidhet me cilësinë e aplikimeve, të ndërmerren hapa për përforcimin e kapaciteteve në hartimin e projekteve kërkimore.
Organizata i kërkon mediave që t’ia adresojnë pyetjet MASh-it për një sqarim zyrtar rreth kriterieve të përzgjedhjes dhe barazisë në financim.
