Ligji për Arsim të Lartë do të hyjë në procedurë qeveritare, MASH dhe VLEN patën sot diskutimet e fundit
Ligji për Arsimin e Lartë do të vihet në procedurë qeveritare sot, pasi të kenë përfunduar konsultimet përfundimtare midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe partnerit të koalicionit në Qeveri nga radhët e partive shqiptare – VLEN, njoftoi dje ministrja përkatëse Vesna Janevska, transmeton Portalb.mk.
Në takimin me përfaqësuesit e VLEN, siç informoi ajo, u diskutuan gjashtë pika që lidhen me ligjin, pesë prej të cilave, sipas Janevskës, ishin zgjidhur më parë.
Pika e fundit, për të cilën u arrit marrëveshja sot, kishte të bënte me indeksin Hirsch, gjegjësisht u ra dakord që ai të mos jetë kriteri kryesor për promovimin e profesorëve në grada më të larta, por të shërbejë si kriter shtesë në rastin kur dy kandidatë kanë numër të njëjtë pikësh.
Përndryshe, indeksi Hirsch, i cili shënohet me indeksin h, është një masë që vlerëson njëkohësisht produktivitetin dhe ndikimin, pra shkallën e citimeve, të punës shkencore të një studiuesi. Për shembull, një indeks h prej 8 do të thotë që studiuesi ka tetë punime që janë cituar të paktën tetë herë.
“Sot patëm takimin e fundit me partnerin tonë të koalicionit VLEN, diskutuam gjashtë pika, ramë dakord për të gjashtë pikat dhe nesër ligji do të hyjë në procedurë qeveritare. Pesë nga pikat u diskutuan më parë sepse ky ishte një proces i vazhdueshëm dhe nuk ishin më aspak të diskutueshme. Pika e fundit që diskutuam ishte indeksi Hirsch, për të cilin gjetëm edhe një zgjidhje, që të mos jetë element bazë si kriter përzgjedhje, por të përfshihet në elementët shtesë për kriteret e përzgjedhjes. Në rastin kur dy profesorë kanë pikë identike, indeksi Hirsch duhet të jetë vendimtar. Kjo është pranuar”, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske pas ngjarjes për nxënësit e shkollave fillore në Shkup – “Zeleniks – nga sfida në inovacion”, të organizuar nga Agjencia për Inovacion, Zhvillim Shkencor dhe Teknologjik dhe Ndërmarrësi – INOVA.
Nga VLEN poashtu njoftuan se në takimin e sotëm me partnerët e koalicionit qeveritar, arritën dakordësi të plotë për versionin final të pakos së ligjeve për reforma në arsimin e lartë.
“VLEN thekson qartë se këto reforma nuk janë thjesht ndryshime ligjore, por një angazhim konkret për të ndërtuar një të ardhme akademike të qëndrueshme dhe konkurruese. Heqja e H-Indeksit si kriter bazë për përzgjedhjen e kuadrit akademik është një vendim i drejtë, që reflekton realitetin dhe nevojën për vlerësim më të balancuar dhe meritokratik. Si rrjedhojë e kësaj, asnjë i punësuar nuk do të humbasë vendin e punës. Përkundrazi, do të krijohen mekanizma të rinj që stimulojnë zhvillimin profesional dhe avancimin e kuadrit akademik. Universitetet do të kenë më shumë hapësirë për zhvillim cilësor dhe autonomi funksionale”, thonë nga VLEN.
Janevska njoftoi javën e kaluar se ligji për arsimin e lartë është finalizuar dhe do të hyjë në procedurë qeveritare, duke deklaruar se disa nga komentet nga universitetet, përfshirë edhe nga fakultetet e arteve, janë marrë parasysh në tekstin e vendimit ligjor, pas së cilës ligji është harmonizuar dhe mbyllur.
Të premten, ajo theksoi se ligji ishte postuar dy herë në Regjistrin Elektronik të Rregulloreve të Republikës së Maqedonisë së Veriut (ENER) dhe se ishin marrë sugjerime të caktuara nga fakultetet e arteve.
“Unë dhe ekipi patëm një takim me dekanët e tre fakulteteve të arteve në ‘Shën Kirili dhe Metodi’. Ramë dakord për një amendament, të cilin unë dhe i gjithë ekipi e konsideruam të justifikuar, dhe kërkesa e tyre ishte e justifikuar, dhe ai amendament është futur. Pas ngjarjes së djeshme në Qeveri, ku patëm një takim me shtatë rektorët dhe një numër të madh profesorësh nga të gjitha universitetet në vend, ligji tashmë është mbyllur dhe do të hyjë në procedurën qeveritare”, tha ministrja e Arsimit të premten.
Projektligji për arsimin e lartë, i cili supozohet të zëvendësojë zgjidhjen aktuale ligjore, u prezantua nga Janevska më 6 shkurt të këtij viti. Disa nga risitë e publikuara deri më tani kanë shkaktuar reagime në komunitetin akademik, por edhe nga partitë politike të opozitës, disa prej të cilave kanë kërkuar tërheqjen e ligjit të ri. Zgjidhja e re ligjore është tani cak i kritikave nga partitë opozitare, veçanërisht nga Lidhja Social Demokrate, e cila sheh në të elementë që do të ishin të dëmshëm për sistemin e arsimit të lartë në vend.
Të premten, kryeministri Hristijan Mickoski komentoi gjithashtu projektligjin e ri për arsimin e lartë, duke deklaruar se sistemi që prodhon personelin më të arsimuar në vend ka pësuar dëme të mëdha nga zgjidhja ligjore e miratuar në vitin 2018.
Sipas tij, disa nga kritikat ndaj zgjidhjeve të reja ligjore janë spekulime politike dhe përpjekje për manipulim, duke theksuar, ashtu si ministri përkatës, se autonomia e universiteteve nuk është e kërcënuar.