Lamallari dënohet me dy vjet burg për sulmin ndaj Danella Arsovskës
Gjykata Penale Themelore në Shkup sot shpalli aktgjykim me të cilin Sulejman Lamallari u dënua me dy vjet burg për “dhunë të rëndë” ndaj kryetares së Shkupit, Danella Arsovska. Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Biljana Kocevska, ndërsa akuzën e përfaqësoi prokurori Aleksandar Davçevski.
Sipas gjykatës, në dënim do të përfshihet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak dhe më vonë në paraburgim. Masa e paraburgimit do të mbetet në fuqi deri në hyrjen në fuqi të plotë të vendimit dhe fillimin e vuajtjes së dënimit, por jo më shumë se gjashtëdhjetë ditë. Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda tetë ditëve nga marrja e aktgjykimit.
Rasti lidhet me incidentin e 11 korrikut të këtij viti, kur Arsovska, gjatë një inspektimi në terren për ndërtim të paligjshëm, u përball me Lamallarin. Sipas aktakuzës, ai arriti në vendngjarje me trotinet elektrik dhe e sulmoi fizikisht e verbalisht kryetaren, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe duke bërë kërcënime serioze.
Lamallari i mohoi akuzat, duke pretenduar se ishte viktimë në këtë rast. Ai tha se kishte tentuar t’ia merrte telefonin Arsovskës, e cila sipas tij po e incizonte pa leje, dhe se përleshja filloi pasi ajo e kishte goditur me shqelm. Dëshmia e tij, megjithatë, ishte në kontrast të plotë me versionin e Arsovskës, e cila në seancën e parë dëgjimore deklaroi se ishte sulmuar për më shumë se 40 minuta dhe se gjatë gjithë kohës ishte ndier e kërcënuar, e pasigurt dhe e frikësuar./VOXAL/