Kreu politik i Maqedonisë së Veriut uron Kryeparlamentarin Dimal Basha
Zgjedhja e Dimal Bashës si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka sjellë urime dhe mesazhe mbështetjeje nga përfaqësues të lartë politikë në Maqedoninë e Veriut, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në emër të institucionit dhe personalisht, përcolli urimet e tij për kryeparlamentarin e ri të Kosovës.
“Marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe institucioneve tona janë të mbështetura në themele të forta miqësie, vëllazërie dhe bashkëpunimi të ndërsjellë. Jam i bindur se në udhëheqjen tuaj do të thellojmë më tej këto marrëdhënie përmes dialogut të hapur parlamentar, bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes së përbashkët në proceset euroatlantike. Ju uroj suksese të shumta në detyrën fisnike dhe shpreh gatishmërinë time për bashkëpunim të afërt dhe konstruktiv”, publikoi Gashi.
Zëvendëskryeministri Arben Fetai theksoi se ky hap është i një rëndësie të madhe për stabilitetin institucional të Kosovës, ndërsa uroi që sa më shpejt të votohet edhe Qeveria Kurti III.
“Sot, Kuvendi i Kosovës zgjodhi kryetarin e ri, z. Dimal Basha. Urime dhe suksese në këtë përgjegjësi të lartë institucionale. Urojmë që sa më shpejt të votohet Qeveria Kurti III dhe të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me projekte konkrete që i shërbejnë zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Fetai.
Ndërkohë, Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa dhe i Komunës së Tetovës, theksoi rëndësinë e këtij momenti përtej kufijve të Kosovës.
“Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës shënon fundin e një periudhe bllokade dhe fillimin e një kapitulli të ri institucional. Urime z. Dimal Basha për marrjen e besimit si kryetar i Kuvendit. Ky moment është i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë rajonin tonë që beson në demokraci funksionale dhe institucione të forta. I uroj suksese në këtë mision të ndjeshëm e fisnik. Urime Kosovë”, shkruan Kasami.
Kryetari i Alternativës Zeqirija Ibrahimi e cilësoi zgjedhjen e Bashës si hap të rëndësishëm drejt rikthimit të funksionalitetit të plotë të Kuvendit të Kosovës.
“Pas disa muajve stagnim institucional, kjo zgjedhje përfaqëson një hap të rëndësishëm për zhbllokimin e punës legjislative dhe avancimin e reformave. Ky është një sinjal i qartë se ndryshimi i premtuar nuk ka qenë i përkohshëm, por vazhdon të marrë formë konkrete përmes projekteve dhe politikave që synojnë ndërtimin e një shteti më të drejtë, më funksional dhe më përgjegjshëm. Urime Kosovë!”, publikoi Ibrahimi.
Udhëheqësit politikë nga Maqedonia e Veriut kanë shprehur pritshmëritë për një bashkëpunim më të fuqishëm rajonal dhe forcim të lidhjeve mes dy vendeve fqinje./VOXAL/