Kievi nën zjarr: Rusia godet me sulmin më të madh ajror që nga fillimi i luftës
Kievi ishte objektivi kryesor i sulmit të fundit ajror rus, në atë që konsiderohet si sulmi më i rëndë ndaj kryeqytetit ukrainas që nga fillimi i luftës. Kryetari i bashkisë, Vitali Klitschko, njoftoi se të paktën 23 persona janë plagosur, ndërsa 14 prej tyre janë shtruar në spital. Forcat ajrore të Ukrainës raportuan se Rusia përdori nëntë raketa dhe 63 dronë kamikazë Shahed, duke goditur tetë lokacione në qytet, por mbrojtja ajrore rrëzoi 270 objektiva, përfshirë dy raketa lundruese. Ndërkohë, 208 objektiva të tjerë u penguan me ndërhyrje elektronike.
Mbeturinat nga dronët e rrëzuar ranë në të paktën 33 pika të ndryshme në kryeqytet, duke shkaktuar dëme në disa lagje. Sulmet dëmtuan edhe segmente të rëndësishme të hekurudhës, ku trenat e udhëtarëve nga pjesa perëndimore po qarkullojnë me vonesa deri në dy orë për shkak të devijimeve. Infrastrukturat rrugore u prekën gjithashtu në pesë nga dhjetë distriktet e qytetit.
Ky sulm erdhi vetëm disa orë pas një bisede telefonike mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin, si dhe pas vendimit të administratës amerikane për të pezulluar dërgesat e disa armëve kyçe për Ukrainën, si raketat Patriot dhe Stinger, të domosdoshme për mbrojtjen kundër dronëve dhe raketave ruse.
Kjo është vala e dytë e madhe e sulmeve ajrore ruse brenda pak ditësh; sulmi i mëparshëm kishte përfshirë mbi 500 dronë dhe 60 raketa. Shërbimet emergjente raportojnë dëme në të paktën pesë distrikte të kryeqytetit.