Kërkohet drejtësi për Faton Lurin! Të afërm dhe qytetarë kundërshtojnë dënimin me 11 vjet burg
Me thirrjen kryesore “Drejtësi për Faton Lurin”, shumë qytetarë marshuan në formë proteste nga Çairi deri te Gjykata Penale në Shkup!
Ata janë të revoltuar, pasi e konsiderojnë të padrejtë dënimin me 11 vjet burg ndaj Lurit, i cili me motoçikletë përplasi për vdekje 68-vjeçarin Jugosllav Nikollovski.
Babai i Fatonit, u shprehu publikisht ngushëllime familjarëve të të ndjerit, me të cilët tha se janë përpjekur të kontaktojnë, por nuk i kanë pranuar.
Dënimin ndaj djalit të tij e konsideron të padrejtë, sepse ngjarja ka qenë aksident e jo me qëllim, andaj u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të mos gjykojnë me mllef ose nën ndikime.
“Fatoni është dënuar sikur me qenë vrasës! Fatoni nuk është vrasës! Fatoni ka qëlluar rastësisht në vend të gabuar, në moment të gabuar dhe me u dënu me atë dënim, është e pabesueshme, gjë që s’besoj se ka ndodhur deri tani në vendin tonë, e as në botë, këso dënime aq të rënda”, tha bababi i Fatonit.
“Ne nuk themi me ia heq dënimin, por kërkojmë që të jepet dënimi aq sa e meriton. Do të vazhdojmë me protesta deri sa të merret parasysh ky rast i Fatonit. Fatonin e kanë dënuar familjarët e të ndjerit, jo shteti ose gjykata, por e kanë dënuar siç kanë dashur familjarët”, deklaroi daja i Fatonit.
Mes pankartave që protestuesit mbanin në duar lexohej edhe pyetja “Ku është drejtësia për Almirin dhe rastet e tjera?”.
“E kemi një pyetje deri te shteti deri kur do të vazhdojë kjo padrejtësi?! Shqiptarët dënohen mizorisht, ndërsa pala maqedonase me video-kamera, me fakte, për vrasje me paramendim, falen! Deri kur do të jetë kjo padrejtësi ndaj shqiptarëve këtu?”, tha Fatmir Jashari, protestues.
Ditën e aksidentit, më 1 korrik 2025, 25-vjeçari Faton Luri, duke drejtuar një motor Kawasaki pa patentë shoferi dhe pa helmetë, në shtegun për këmbësorë në bregun e Vardarit, përplasi 68-vjeçarin Nikollovski, dhe sipas hetimit, pas aksidentit ai ishte në arrati për dy ditë. Por këtë e mohon bashkudhëtari i tij, Hamza Ibrahimi, i cili thotë se Fatoni ka qëndruar në vendngjarje, është përpjekur ta ndihmojë të moshuarin.
“Ne s’kemi pas dëshirë të bëjmë aksident! Po na ndodhi! Kemi qenë normal me 25 deri 30 km/h, dhe pasi u rrëzuam, Fatoni i dha ndihmë njeriut. Pastaj erdhi policia. Fatoni i tha policisë që ta thërrasin ambulancën sa më shpejtë, ky e ka pas në dorë njeriun – duke i dhënë ndihmë, policia i tha Fatonit lëshoje, dhe ai e lëshoi. Njerëzit që ishin aty përreth u mblodhën dhe nisën të bërtasin, Fatoni pas një momenti u largua prej aty”, tha Hamza Ibrahimi, bashkëudhëtar i të akuzuarit në momentin e aksidentit.
U paralajmërua që protestat do të vazhdojnë deri në rigjykimin e rastit.