Gazetarët e Tetovës në mbrojtje të gjuhës shqipe, bojkotojnë ministren Janevska
Pas debatit për ligjin e ri në Arsim të Lartë, në Tetovë, Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska pati një përplasje verbale me gazetarët për shkak të gjuhës shqipe, gjegjësisht kërkesës së saj që çdo gjë të përkthehet në gjuhën maqedonase.
Gazetarët kërkuan që ministrja Janevska të ketë përkthyesin e saj, ndërsa ajo u përgjigj që gjuhë zyrtare në Maqedoni është gjuha maqedonase.
“Maqedonia ka një gjuhë zyrtare dhe një tjetër që e flasin komunitetet. Unë ndodhem në Tetovë ku flitet gjuha shqipe. Unë nuk duhet të kem përkthyes, ju duhet ta dini gjuhën maqedonase. Unë pak kuptoj, por për të mos gabuar në përkthim, iu lutem që të më përktheni në mënyrën më të kulturuar”, tha mes tjerash Janevska.
Kjo nuk ishte “grindja” e vetme e Janevskës me gazetarët. Përplasje pati edhe lidhur me emrat që e kanë shkruar propozim Ligjin për Arsimin e Lartë, për të cilët ajo këmbënguli që t’i mbajë sekret.
“Pjesë e emrave të cilët ju i lexuat janë profesorë me renome në UKM janë pjesë e rektoratit në UKM-së, një emër nuk është i saktë. Këto njerëz kanë marrë pjesë në krijimin e ligjit me të drejta të plota edhe nga UT ka pasur persona që kanë marrë pjesë në hartimin e ligjit….Do t’i pyes nëse lejojnë të publikohen, të gjithë në ueb-faqe…Juve nuk ju intereson ligji, juve u interesojnë njerëzit kush e kanë formuar… Nëse më garantojnë se nuk do më padisin për shkak se i kam zbuluar”, tha Janevska.
Kjo përgjigje e saj erdhi pas pyetjes së gazetarëve, ku i kërkuan Janevskës të konfirmojë nëse ligjin e kanë shkruar Llazo Pendovski, Sonja Topuyovska, Marija Manevska, Llazo Jovevski dhe Samil Mallçeski nga Universiteti ‘Shën Kirili dhe Metodi’ si dhe Borçe Aleksov nga Ministria e Arsimit, emra që janë të afërt me qeverinë?
Ndërkaq Janevska u përball edhe me gjyq publik në debatin publik në Universitetin e Tetovës ku profesorët i shfaqën ankesat e tyre për ligjin dhe jo vetëm.