Izet Mexhiti zbulon dy zgjidhjet për kalimin e paligjshëm në Bit Pazar: semafor i ri apo shembja e urës
Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se aktualisht po shqyrtohen dy alternativa për të adresuar problemin e kalimit të parregullt në zonën e Bit Pazarit në Shkup.
Ai theksoi se zgjidhja e kësaj çështjeje është e ngutshme për shkak të tregtarëve të zonës, të cilët e konsiderojnë këtë kalim si jetik për aktivitetin e tyre.
“Aktualisht kemi në shqyrtim dy rrugëzgjidhje. Opsioni që duket më i realizueshëm është instalimi i një semafori, ndërsa alternativa tjetër përfshin prishjen e urës, në rast se ajo përbën një pengesë.
Duke qenë se kjo urë nuk shfrytëzohet plotësisht nga qytetarët, shembja e saj mund të jetë një variant për të rregulluar siç duhet atë vendkalim.
Kjo është e domosdoshme sepse, megjithëse një periudhë u mbyll, me insistimin e tregtarëve të Bit Pazarit—ku shumë familje nxjerrin jetesën—vendkalimi u rihap për të mbështetur interesat e biznesit,” deklaroi Mexhiti.