Ismail Sinani: Bashkimi i VLEN-it krijon një binom të ri politik dhe konsolidon votën shqiptare
Shndërrimi i VLEN-it në një parti është komentuar edhe nga opinionisti Ismail Sinani, i cili e sheh këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, konsolidimi i këtij spektri politik përfaqëson një angazhim për përfaqësim më të racionalizuar dhe më të organizuar të shqiptarëve në shtet.
“Ky përbashkim politik si antipod i BDI-së krijon një binom politik që pritet të prodhojë efekte pozitive për sistemin demokratik dhe pozitën e shqiptarëve në shtet”, vlerëson Sinani.
Ai thekson se një nga efektet kryesore të këtij unifikimi është konsolidimi i votës shqiptare, e cila në të kaluarën ka qenë e fragmentuar dhe ka ndikuar në dobësimin e peshës politike.
“Përçarja në kampin politik shqiptar shpesh ka gjeneruar humbje të peshës politike në rrafshin zgjedhor”, thuhet në analizë.
Sinani shton se bashkimi i VLEN-it rrit fuqinë negociuese dhe krijon qartësi më të madhe për elektoratin shqiptar.
“Ai, pra votuesi shqiptar, kur të dalë para kutisë së votimit, e ka më të qartë e më të lehtë se kurrë për të vendosur”, thekson ai.
Në analizë theksohet edhe se bashkimi mund të shihet si tejkalim i egove politike dhe si përgjigje ndaj kërkesës për konsolidim nga elektorati.
“Krerët e këtyre subjekteve arritën ta lexojnë mesazhin që u erdhi nga poshtë se pa bashkim forcash nuk jeni të pranueshëm nga populli”, vlerëson Sinani.
Ai paralajmëron se dinamika mes VLEN-it dhe BDI-së mund të sjellë konkurrencë më të fortë politike, por edhe rreziqe nëse mungon debati programor.
“Nëse akuzat vazhdojnë në stilin folklorik, pa programe konkrete, mund të krijohen efekte negative në skenën politike”, thuhet në analizë.
Në përfundim, Sinani vlerëson se bashkimi i VLEN-it krijon një realitet të ri politik me dy blloqe kryesore shqiptare, duke rritur përgjegjësinë politike dhe nevojën për stabilitet institucional.