Irani akuzon SHBA-në dhe Izraelin për dërgimin e anëtarëve të ISIS-it për të kryer sulme
Komandanti më i lartë ushtarak i Iranit akuzoi të martën Shtetet e Bashkuara të Amerikës(SHBA) dhe Izraelin për vendosjen e anëtarëve të grupit terrorist ISIS (DAESH) brenda vendit për të kryer sulme kundër civilëve dhe personelit të sigurisë, transmeton Anadolu.
Abdolrahim Mousavi, shefi i shtabit të forcave të armatosura të Iranit, tha se ky veprim erdhi pas asaj që ai e përshkroi si dështim të Washingtonit dhe Tel Avivit në një “luftë 12-ditore” të kohëve të fundit kundër Iranit, raportoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim.
Mousavi tha se anëtarët e ISIS-it, të cilët ai i përshkroi si “mercenarë”, u dërguan në vend për të kryer sulme të dhunshme që synonin si publikun iranian ashtu edhe forcat e sigurisë.
“Irani nuk do të tolerojë asnjë shkelje të sovranitetit ose integritetit të tij territorial”, tha ai, duke shtuar se forcat e sigurisë kanë vepruar me përmbajtje në trajtimin e protestave, por nuk do të lejojnë që “elementët terroristë” të veprojnë në rrugë.
As SHBA-ja dhe as Izraeli nuk dhanë një përgjigje të menjëhershme ndaj akuzave.
Irani është tronditur nga protesta antiqeveritare që nga muaji i kaluar, mes përkeqësimit të kushteve ekonomike dhe një zhvlerësimi rekord të monedhës kombëtare, rialit e cila ka rënë në 145.000 kundrejt dollarit amerikan, duke rritur çmimet e mallrave thelbësore.
Zyrtarët iranianë kanë akuzuar SHBA-në dhe Izraelin se mbështesin atë që ata e përshkruajnë si “trazira të armatosura” në vend.
Nuk ka shifra zyrtare të viktimave, por Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), një grup i të drejtave me bazë në SHBA, vlerëson se numri i të vdekurve ka arritur të paktën 646, duke përfshirë si forcat e sigurisë ashtu edhe protestuesit, me mbi 1.000 të plagosur.
HRANA ka raportuar gjithashtu se të paktën 10.721 persona janë arrestuar gjatë protestave në 585 vende në të gjithë vendin, duke përfshirë 186 qytete në të gjitha 31 provincat.