Greqia dhe Maqedonia e Veriut nisin projektin e hekurudhës për zhvillim rajonal
Një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës rajonale. Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë riafirmuar javën e kaluar angazhimin e tyre për të zhvilluar një hekurudhë me shpejtësi të lartë përgjatë Korridorit 10.
Ky projekt strategjik synon të përmirësojë efikasitetin e transportit, të nxisë rritjen ekonomike dhe të forcojë turizmin midis dy vendeve.
Takimi midis zëvendëskryeministrave të dy vendeve nënvizoi rëndësinë e lidhjes efikase rajonale si një katalizator për zhvillimin e përshpejtuar ekonomik.
Hekurudha me shpejtësi të lartë parashikohet të lehtësojë tregtinë më të qetë, të rrisë shkëmbimet dhe të sigurojë një lidhje të shpejtë midis porteve greke dhe tregjeve të Evropës Qendrore. Hekurudha me shpejtësi të lartë përgjatë Korridorit 10 do të përmirësojë ndjeshëm lidhjen rajonale, duke e bërë udhëtimin midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut më të shpejtë dhe më të përshtatshëm. Duke zvogëluar kohën e udhëtimit, do të rrisë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, duke përfituar të dy ekonomitë. Infrastruktura e përmirësuar pritet gjithashtu të inkurajojë investimet e huaja dhe të mbështesë bizneset lokale duke ofruar akses më të lehtë në tregje.
Autoritetet greke kanë rënë dakord të fillojnë ndërtimin e një hekurudhe me dy binarë nga Selaniku në Gjevgjeli vitin e ardhshëm, duke ndjekur shembullin e Maqedonisë. Për këtë e siguruan autoritetet greke, ministrin e Maqedonisë të Transportit , Aleksandar Nikolloski.
“Sado që hekurudha me shpejtësi të lartë është një përfitim për Maqedoninë, ajo është shumë më tepër një përfitim për Greqinë, veçanërisht pasi do t’i hapë plotësisht portet e Selanikut dhe Athinës për Evropën Qendrore. Trenat e mallrave do të lëvizin me 120 kilometra në orë dhe vetëm në vitin e parë pas ndërtimit të hekurudhës me shpejtësi të lartë, dy kompanitë vendase hekurudhore pritet të gjenerojnë 120 milionë euro, krahasuar me tani, kur të ardhurat e tyre vjetore janë vetëm 12 milionë euro. E njëjta gjë do të vlejë edhe për portet greke, gjë që do ta ndryshojë plotësisht ekonominë në të gjithë këtë rajon”, thotë Nikolloski.
Sipas tij, drejtorët e kompanive hekurudhore të të dy vendeve tashmë po harmonizojnë detajet teknike. Hekurudha me shpejtësi të lartë është planifikuar të përfundojë brenda 5 vjetësh. Përveç kësaj, Nikolloski njoftoi një zonë ekonomike dhe lidhje me portet greke dhe Evropën.
“Planifikojmë të ndërtojmë nga kufiri me Serbinë deri në kufirin me Greqinë. Shpresoj që vitin e ardhshëm të fillojmë punën dhe afati do të jetë pesë vjet nga fillimi i punës, që do të thotë se duhet të përfundojë diku në vitin 2031-2032. Nga ana greke, situata është disi më përpara. Athinë-Selanik tashmë ka një hekurudhë me shpejtësi të lartë që shkon në veri nga Selaniku në Aksios. Nga atje deri në kufirin me Maqedoninë, deri në Gjevgjeli, kanë mbetur rreth pesëdhjetë kilometra, për të cilat mora një premtim se do të fillojnë vitin e ardhshëm, në mënyrë që të lidhen dy vendet”, thotë Nikolloski.
Maqedonia e Veriut i është drejtuar disa institucioneve financiare ndërkombëtare, përfshirë Bankën Botërore dhe Bankën Evropiane të Investimeve, duke kërkuar afërsisht 1.9 miliardë euro financim për projektin hekurudhor. Qeveria planifikon të ndajë një pjesë të fondeve nga projektet e përcaktuara më parë për këtë iniciativë hekurudhore me shpejtësi të lartë. Projekti pritet të mbulojë rreth 200 kilometra infrastrukturë hekurudhore, me kosto ndërtimi të vlerësuara në 8.8 milionë euro për kilometër.
Gjithashtu, Maqedonia dhe Greqia do të fillojnë ndërtimin e hekurudhave me shpejtësi të lartë vitin e ardhshëm – nga ana e Maqedonisë duke filluar nga Tabanoca, dhe nga ana greke nga Selaniku, duke u lidhur në Gjevgjeli.
Në të ardhmen, me tren të shpejtë, udhëtimi nga Shkupi në Selanik do të zgjasë 1 orë e 20 minuta, ndërsa deri në Athinë në jo më shumë se 4 orë. Ministria e Transportit e Maqedonisë pret që të nënshkruhet një marrëveshje pesëpalëshe midis Maqedonisë, Greqisë, Serbisë, Hungarisë dhe Austrisë për bashkëpunim në Korridorin 10. “Ishte përgatitur dhe gati për nënshkrim vitin e kaluar, por për shkak të paqëndrueshmërisë politike që ndodhi në Serbi, u shty dhe tani po e vendosim përsëri në hartë dhe do të donim ta nënshkruanim, dhe kështu të formalizojmë këtë bashkëpunim të pesë vendeve në Korridorin 10”, thotë Nikolloski.
Ndryshe, këto ditë, Qeveria ka miratuar përfundimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes ndërmarrjes së Hekurudhës- Infrastruktura të Maqedonisë” dhe Organin Publik të Ministrisë së Transportit të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar “Crossrail International Limited”. Ekspertët britanikë do të këshillojnë duke ndarë ekspertizën, përvojat, praktikat e mira dhe mësimet e nxjerra mbi hekurudhat me shpejtësi të lartë, si dhe trafikun hekurudhor të mallrave, sistemet e sinjalizimit dhe kontrollit, përmirësimin e infrastrukturës, depove dhe mjeteve lëvizëse hekurudhore. Marrëveshja e bashkëpunimit është e vlefshme për 5 vjet me mundësi zgjatjeje për pesë vjet të tjera. /Koha/