Gazetarë, prokurorë, ministra dhe opozitarë janë ndjekur nga ish-udhëheqësia e ASK-së
Gazetarë, prokurorë, ministra dhe opozitarë janë ndjekur nga ish-udhëheqësia e Agjencisë për Siguri Kombëtare.
Burime nga institucioni bëjnë të ditur se pas një hetimi të thelluar është zbuluar një grup i vogël prej rreth 10 të punësuarish, të cilët nga viti 2019 deri vitin e kaluar, praktikisht e kishin “rrëmbyer” ASK-në, duke i përdorur resurset për interesa personale dhe për llogari me kundërshtarë. Pjesë e grupit ishte edhe një ish-drejtor i ASK-së, si dhe një person i lartë i pozicionuar brenda agjencisë.
Në ASK mbaheshin shënime dhe përdoreshin metoda të ndjekjes së komunikimeve të gazetarëve, të cilët nga ish-udhëheqësia konsideroheshin si armiq të shtetit, me arsyetimin se qëllimi i tyre final ishte rrëzimi i pushtetit. Resurset e ASK-së ishin përdorur edhe për hakmarrje ndaj një prokurori publik, një ministri nga ish-qeveria e LSDM-së, por edhe ndaj atëhershmit lider të opozitës dhe tashmë kryeministër, Hristijan Mickoski. Sipas burimeve nga ASK, janë përdorur të gjitha mjetet e mundshme për ndjekje të paligjshme të komunikimeve të tyre.
Resurset e agjencisë janë shfrytëzuar edhe për të ndikuar në caktimin e masave të paraburgimit në disa procese gjyqësore, si dhe për të penguar në mënyrë tendencioze procedurat për dhënien e certifikatave të sigurisë, siç ishte rasti me ish-deputetin Dragan Kovaçki, për të cilin vitin e kaluar LSDM pretendonte se ishte refuzuar nga NATO për të marrë një certifikatë të tillë.
Për të gjitha këto keqpërdorime, nga ASK thonë se janë informuar edhe prokurorët publikë. Deri më tani janë dorëzuar tre lëndë të veçanta te ata, por agjencia nuk ka informacione se çfarë masa janë ndërmarrë.
Agjencia për Siguri Kombëtare po ndjek gjendjen e sigurisë në vend edhe në prag të zgjedhjeve, përmes formimit të aksionit operativ “Zgjedhjet 2025”. Edhe pse deri më tani nuk ka kërcënime të drejtpërdrejta ndaj zgjedhjeve, nga ASK bëjnë të ditur se është konstatuar veprimtari e shërbimeve të huaja nga rajoni, të cilat përveç mbledhjes së informatave, zhvillojnë edhe propagandën e tyre.
Maqedonia po përballet me aktivitete hibride – për të minuar interesin publik po krijohen organizata që veprojnë në hapësirën kulturore, shoqërore dhe mediatike, thonë nga ASK, prej ku si shembull për një aktivitet të tillë hibrid përmendet themeluesi i fondacionit bullgar “Maqedonia”, Viktor Stojanov, i cili gjithashtu ka ndalim hyrjeje në vend.
Tentime për ndërhyrje të huaj dhe nxitje të protestave më masive ASK ka detektuar edhe pas tragjedisë në Koçan, të cilat, sipas saj, janë parandaluar me sukses.