Evropa Jugore përballet me valën ekstreme të të nxehtit: temperatura rekord dhe situatë alarmante
Italia vazhdon të përjetojë një valë të paprecedentë të të nxehtit, me temperatura që në disa rajone arrijnë deri në 40-41°C, shoqëruar me një lagështi të lartë që e bën ndjesinë e vapës thuajse të padurueshme. Asfalti në rrugë “shkrin”, ndërsa punëtorët që punojnë në ambiente të hapura përballen me kushte jashtëzakonisht të rrezikshme për shëndetin.
Deri tani janë regjistruar tre viktima të lidhura me vapën ekstreme: dy në ishullin e Sardenjës dhe një në qytetin e Xhenovës. Në një reagim ndaj situatës alarmante, Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore (INPS) u ka dërguar njoftime kompanive për mundësinë e kërkimit të kompensimeve në rast ndërprerjeje të punës kur temperaturat kalojnë 35°C.
Në Milano, për të ndihmuar turistët gjatë orëve më të nxehta, autoritetet lokale kanë vendosur të krijojnë një qendër emergjente mjekësore në tarracat e Duomo-s, që do të funksionojë prej 1 korrikut deri më 15 shtator, çdo ditë nga ora 12:00 deri në 17:00.
Sot, 20 qytete italiane janë në nivelin maksimal të alarmit të kuq për të nxehtin, ndërsa pritet që nga fundjava situata të përmirësohet pjesërisht në Veri, ku reshjet e para dhe rënia e temperaturave do të sjellin lehtësim. Në pjesën Qendrore dhe Jugore të vendit, moti do të mbetet kryesisht i thatë dhe me diell.
Por vapa e nxehtë nuk është vetëm një problem italian. E gjithë Europa Jugore po përballet me temperatura ekstreme. Në Spanjë, mbi 100 persona kanë humbur jetën që prej së shtunës për shkak të vapës, ndërsa në Greqi situata është alarmante. Ishulli i Kretës po përballet me zjarre të mëdha, të nxitura nga erërat e forta, që kanë detyruar evakuimin e banorëve dhe turistëve, përfshirë edhe shtetas italianë.
Autoritetet në gjithë rajonin paralajmërojnë qytetarët të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut, të konsumojnë sasi të mëdha uji dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta. Pritet që vala e të nxehtit të vazhdojë edhe për disa ditë në pjesën më të madhe të Evropës Jugore.